Turqia raporton 95 viktima të reja nga COVID-19

Ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, ka njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në vend është rritur në 1.101, me 95 viktima të reja të regjistruara në 24 orët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA). 

Në llogarinë e tij në twitter, ministri Koca po ashtu njoftoi se rastet e konfirmuara të koronavirusit në vend janë rritur në 52.167, me 5.138 raste të reja të regjistruara në 24 orët e fundit. 

Koca shkroi se deri më tani gjithsej 2.965 pacientë janë shëruar dhe janë lëshuar në shtëpi. 

Ai po ashtu tha se 33.170 teste të COVID-19 janë kryer në 24 orët e fundit, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend ka shkuar në 340.380.

Aktualisht, në Turqi nën kujdes intensiv po trajtohen 1.626 pacientë. 

Pas shfaqjes për herë të parë në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Evropën epiqendër të re të këtij virusi pasi Kina kryesisht ka dalë nga kriza e koronavirusit. 

Bazuar në shifrat e Universitetit John Hopkins me qendër në SHBA, pandemia ka vrarë rreth 104 mijë persona, ndërkohë mbi 1.7 milionë janë infektuar dhe afër 390 mijë janë shëruar.