Turqia reagon ndaj vendimit të Izraelit për të njohur pavarësinë e rajonit Somaliland

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Oncu Keceli, tha se deklarata e Izraelit për njohjen e pavarësisë së rajonit Somaliland përbën një shembull të ri të veprimeve të paligjshme të administratës së Tel Avivit, transmeton Anadolu.

“Deklarata e Izraelit për njohjen e pavarësisë së rajonit Somaliland është një shembull i ri i veprimeve të paligjshme të qeverisë (së kryeministrit izraelit Benjamin) Netanyahu, të cilat synojnë të krijojnë destabilizim në nivel rajonal dhe global”, tha Keceli në një reagim në platformën sociale amerikane X.

Ai theksoi se ndërsa Izraeli po vazhdon politikat e tij ekspansioniste dhe po bën çdo përpjekje për të penguar njohjen e Shtetit të Palestinës, ky hap përbën “ndërhyrje të hapur në punët e brendshme të Somalisë”.

Ai shtoi se vendimet që lidhen me të ardhmen e Republikës Federale të Somalisë dhe rajonit Somaliland duhet të merren në një mënyrë që pasqyron vullnetin e të gjithë somalezëve, duke kujtuar se Turqia i jep rëndësi paqes dhe sigurisë në Bririn e Afrikës.

Zëdhënësi i MPJ-së turke theksoi gjithashtu se Ankaraja “e mbështet me vendosmëri integritetin territorial të Somalisë” dhe se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit somalez.

Somalilandi, i cili ka qenë pa njohje zyrtare që prej shpalljes së pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, funksionon si një ent de fakto i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë, me qeverinë qendrore që nuk arrin të ushtrojë kontroll mbi rajonin dhe me udhëheqjen e tij që nuk ka mundur të sigurojë njohje ndërkombëtare të pavarësisë.

Qeveria somaleze refuzon ta njohë Somalilandin si shtet të pavarur, e konsideron atë pjesë integrale të territorit të saj dhe çdo marrëveshje direkte apo angazhim me të e sheh si shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.