Turqia riafirmon mbështetjen për Azerbajxhanin kundër Armenisë

Turqia riafirmoi mbështetjen e saj për Azerbajxhanin kundër sulmeve kufitare të Armenisë, tha në një deklaratë Këshilli i Sigurisë Kombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Turqia i bëri thirrje Armenisë që të ndalojë agresionin e saj dhe të tërhiqet nga territoret e pushtuara të Azerbajxhanit, thuhet në deklaratën e publikuar pas takimit të këshillit të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në kryeqytetin turk Ankara.

Ankaraja gjithashtu dënoi ashpër okupimin armen të territorit azerbajxhanas, theksohet në deklaratë.

Më 12 korrik, ushtria armene shkeli armëpushimin dhe sulmoi pozicionet e Azerbajxhanit me artileri në drejtim të rajonit kufitar Tovuz, duke u tërhequr pas humbjeve të pësuara si rezultat i kundërpërgjigjes nga ushtria azerbajxhanase.

Gjatë agresionit të saj, Armenia martirizoi 12 ushtarë të Azerbajxhanit, përfshirë oficerë të rangut të lartë, dhe një civil, krahas plagosjes së katër trupave.

Që nga viti 1991, ushtria armene ka pushtuar në mënyrë të paligjshme rajonin Nagorno-Karabakh, që është një territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.

Libia

Në lidhje me Libinë, në deklaratë thuhet se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë popullit libian kundër të gjitha llojeve të tiranisë.

Libia është përfshirë nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit të ndjerë Muammar Gaddafi në vitin 2011. Qeveria e re e vendit u themelua në vitin 2015 nën një marrëveshje të udhëhequr nga OKB-ja, por përpjekjet për një zgjidhje politike afatgjate dështuan për shkak të sulmeve nga gjenerali puçist Khalifa Haftar, i cili mështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Qeveria legjitime e Libisë është sulmuar nga forcat e Haftar që nga prilli i kaluar dhe më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës.

OKB-ja e njeh qeverinë libiane të kryesuar nga Fayez al-Sarraj si autoritet legjitim të vendit.

Qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” kundër Haftarit në mars për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe çliroi disa vende strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna.

Qiproja

Lidhur me ishullin e ndarë mesdhetar të Qipros, këshilli tha se Turqia nuk do të lejojë asnjë përpjekje që mund të dëmtojë paqen dhe stabilitetin në këtë vend.

Më herët gjatë ditës, Turqia reagoi ndaj pretendimeve greke për “eksplorim të paligjshëm” në Mesdheun Lindor, pas sondimeve të reja nga një anije turke.

“Kjo kërkesë maksimaliste e Greqisë mbi shelfin kontinental është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, jurisprudencën dhe vendimet gjyqësore”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hami Aksoy në një deklaratë me shkrim.

Majin e kaluar, anijet turke të sondimit filluan shpimet në det të hapur në zonat pranë ishullit të Qipros. Zonat bëjnë pjesë tërësisht brenda shelfit kontinental të Turqisë të regjistruara në OKB dhe janë në përputhje me lejet e qeverisë turke në vitet e kaluara të lëshuara për Korporatën Turke të Naftës.

Turqia i konsideron resurset energjetike si një nxitje për zgjidhjen politike në ishull dhe paqen në pellgun e gjerë të Mesdheut dhe jo si katalizator për tensione të mëtejshme.

Turqia është vend garantues për Republikën Turke të Qipros Veriore dhe vazhdimisht ka kontestuar shpimin e njëanshëm të administratës qipriote greke në Mesdheun Lindor, duke theksuar se edhe qipriotët turq kanë të drejta në burimet në zonë.

Në vitin 1974, pas një puçi ushtarak që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia dhe pas dhunës etnike kundër qipriotëve turq, Ankaraja ndërhyri si fuqi garantuese. Më 1983, u themelua Republika Turke e Qipros Veriore.

Gjatë dekadave të kaluara, ka pasur disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha kanë dështuar. E fundit, e zhvilluar në vitin 2017 në Zvicër me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqisë, Greqisë dhe Britanisë, përfundoi pa ndonjë rezultat.