Turqia rindërton spitalin e dëmtuar në kampin e refugjatëve Rohingya në Bangladesh

Turqia i është përgjigjur me shpejtësi zjarrit masiv që kaploi kampin e refugjatëve Rohingya dhe dëmtoi spitalin fushor turk, pasi një ekip nga Ankaraja po punon për të rindërtuar këtë spital në Bangladeshin juglindor, raporton Anadolu Agency (AA).

Një zyrtar i lartë nga Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave të Turqisë (AFAD) mbërriti në rajonin juglindor Cox’s Bazar të Bangladeshit me një ekip për të rindërtuar spitalin dhe strehimoret për refugjatët Rohingya të prekur nga flakët vdekjeprurëse më 22 mars.

Një total prej 26 punonjësish nga Ministria turke e Shëndetësisë, AFAD dhe Administrata Turke e Strehimit dhe Zhvillimit arritën Bangladesh të shtunën.

Ekipi ka filluar punën e ndërtimit në spitalin fushor në fillim të kësaj jave në të njëjtën vend.

Salih Altınay, kreu i punëve të jashtme dhe ndihmës humanitare pranë AFAD-it, tha për AA nga vendi se spitali i ri do të ketë një sipërfaqe të hapur prej 4.000 metrash katrorë dhe një sipërfaqe të mbyllur prej 1.400 metrash katrorë. Ai shtoi edhe vendi i hapur, edhe ai i mbyllur, do t’i sigurojnë lehtësi kujdesit shëndetësor për refugjatët Rohingya në kamp.

Ai theksoi se agjencia e ndihmave zhvendosi operacionet e saj humanitare nga Mianmari në Cox’s Bazar të Bangladeshit në vitin 2017, menjëherë pas tragjedisë humanitare që përfshiu muslimanët Rohingya të cilët braktisën shtëpitë e tyre.

Altınay iu referua shtypjes ushtarake të Mianmarit ndaj muslimanëve Rohingya në shtetin perëndimor Arakan në gusht të vitit 2017, që vrau mijëra muslimanë dhe detyroi mbi 750.000 të largoheshin drejt Bangladeshit fqinj për një strehim të sigurt.

AFAD kishte ndërtuar një spital të plotë në terren në fillim të vitit 2018 që siguronte të gjitha llojet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor me dhjetë mjekë dhe 20 punonjës shëndetësorë.

Spitali ofronte shërbime mjekësore për 1.000 pacientë çdo ditë, ndërsa u shkatërrua tërësisht nga zjarri dhjetë ditë më parë.

Ai u kishte shërbyer gjithsej 512.101 pacientëve që nga themelimi i saj në vitin 2018, sipas të dhënave të spitalit.

Agjensia shtetërore turke e ndihmave kishte ndërtuar gjithashtu 4.620 strehimore të bëra nga druri bambu për refugjatët në zonë.

“Spitali ynë (fushor) dhe afërsisht 1.400 shtëpi bambu (për refugjatët Rohingya) u bënë të papërdorshme nga zjarri që ndodhi më 22 mars”, tha Altınay.

Tani Turqia po ndërton një spital të ri fushor që do të jetë operacional për refugjatët shumë shpejt, theksoi ai.

“Ne do të fillojmë po ashtu rindërtimin e strehimoreve (të prekura nga zjarri vdekjeprurës) sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Me udhëzimet e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, AFAD, së bashku me ministritë e Shëndetësisë, Mjedisit dhe Urbanizimit, kanë filluar të sigurojnë ndihmë për refugjatët, tha Altınay.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, zjarri më shkatërrues në historinë e refugjatëve Rohingya në Bangladesh vrau 15 njerëz, zhduki mbi 10.000 strehimore dhe zhvendosi rreth 45.000 refugjatë.