Turqia: Sulmi në Rafah nuk do të prekë vetëm rajonin, por gjithë botën

Öncü Keçeli

Turqia ka deklaruar se sulmi në qytetin Rafah të Gazës nuk do të prekë vetëm rajonin, por të gjithë botën, si dhe ka kërkuar nga Izraeli që të “tërhiqet menjëherë” nga ana e Gazës në vendkalimin kufitar Rafah, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Öncü Keçeli, në platformën sociale X tha se “status quo-ja në Rafah dhe në pikën kufitare duhet të rivendoset pa vonesa të mëtejshme”.

Keçeli theksoi se pasi Hamasi ra dakord me propozimin e armëpushimit në Gaza, sulmi i Izraelit në Rafah tregon se qeveria e kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk po vepron me “mirëbesim”.

“Mes një zhvillimi kaq pozitiv drejt dhënies fund të shkatërrimit dhe masakrës në Gaza, sulmet e shtuara të Izraelit në Rafah kanë treguar edhe një herë se qeveria e Netanyahu-t nuk po vepron me mirëbesim”, shkroi Keçeli.

Izraeli ka marrë “kontrollin operacional të anës së Gazës të vendkalimit Rafah”, pasi gjatë natës përparoi përderisa avionët e tyre luftarak goditën shtëpitë e banimit.

Dje, forcat izraelite lëshuan urdhra evakuimi për palestinezët në pjesën lindore të qytetit Rafah, një lëvizje që konsiderohet gjerësisht si një fillim i sulmit të paralajmëruar prej kohësh ndaj qytetit palestinez, ku po strehohen rreth 1.5 milionë banorë të zhvendosur.

Të paktën 34.800 palestinezë janë vrarë në ofensivën e vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar.

Izraeli gjithashtu akuzohet për gjenocid në një rast në vazhdim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar tha se “besohet” se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, si dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.