Turqia thirrje për zgjidhje të drejtë dhe të përhershme për çështjen palestineze

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Turqisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të përmbushë përgjegjësinë e tij për të gjetur një zgjidhje të drejtë dhe të përhershme për çështjen palestineze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një takim pesorësh të kryesuar nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan në kompleksin presidencial në kryeqytetin Ankara, zyrtarët e lartë turq diskutuan politikën e jashtme, terrorizmin dhe zhvillimet rajonale, thuhet në deklaratën e këshillit të lëshuar pas takimit.

Këshilli i sigurisë dënoi “pushtimin ilegal izraelit në tokat palestineze dhe aktet çnjerëzore të qëllimshme ndaj popullatës civile”.

Një armëpushim i ndërmjetësuar nga Egjipti që hyri në fuqi në orët e para të 21 majit i dha fund bombardimeve 11-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës.

Në sulmet izraelite në Gaza humbën jetën 254 palestinezë, përfshirë 66 fëmijë dhe 39 gra, kurse 1.948 të tjerë u plagosën dhe mijëra ndërtesa u shkatërruan plotësisht ose u sollën në gjendje të papërdorshme.

Këshilli gjithashtu theksoi se operacionet ushtarake përgjatë kufirit jugor të vendit do të vazhdojnë me vendosmëri për të neutralizuar grupet terroriste dhe për të garantuar sigurinë e pandërprerë kufitare.

Turqia filloi operacionet “Pençe-Şimşek” dhe “Pençe-Yıldırım” më 23 prill në rajonet e Irakut verior Metina dhe Avasin-Basyan pranë kufijve të saj.

Grupi terrorist PKK shpesh fshihet në Irakun verior, pikërisht përtej kufirit jugor të Turqisë, për të komplotuar sulme terroriste në Turqi.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. /aa