Turqia thirrje Suedisë që të përmbushë angazhimet për të filluar ratifikimin e anëtarësimit në NATO

Turqia i bëri thirrje Suedisë që të përmbushë angazhimet e saj në lidhje me luftën kundër terrorizmit në mënyrë që të fillojë ratifikimin e pranimit të Stokholmit në NATO, transmeton Anadolu.

“Një mesazh i qartë si kristali për miqtë tanë suedezë! Përmbushni angazhimet tuaja që rrjedhin nga Memorandumi Trepalësh dhe ndërmerrni hapa konkretë në luftën kundër terrorizmit. Pjesa tjetër do të pasojë”, shkroi ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në Twitter.

Më herët, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom, gjatë një prononcimi në takimin e ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, tha se Suedia ka përmbushur “të gjitha angazhimet” për t’u bërë anëtare e NATO-s, duke i bërë thirrje Turqisë dhe Hungarisë që të ratifikojnë anëtarësimin e saj.

“Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Oslo sot tregoi mbështetje të fortë nga shtetet anëtare ndaj anëtarësimit të Suedisë në NATO”, shkroi Billstrom në Twitter.

Një ligj i ri kundër terrorizmit, i cili u ratifikua nga parlamenti suedez muajin e kaluar, hyri në fuqi sot. Ligji ishte një nga kërkesat kryesore të Turqisë për të ratifikuar anëtarësimin e vendit nordik në NATO.

Finlanda dhe Suedia aplikuan për anëtarësim në NATO menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë në shkurt 2022.

Qershorin e kaluar, Finlanda dhe Suedia nënshkruan në Madrid një memorandum me Turqinë për të adresuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë, ndërsa diplomatë të lartë dhe zyrtarë nga të tri vendet kanë mbajtur takime të ndryshme që atëherë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes trepalëshe.

Edhe pse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, ajo pret që Suedia t’i përmbahet memorandumit.

Suedia mori pjesë në takimin jozyrtar në Oslo si vend mysafir.