Kryeministri zgjedh represionin në vend të përgjegjësisë politike
Edi Rama e ka zgjedhur përgjigjen e tij ndaj 12 ditëve protestash. Jo reflektim, jo përgjegjësi politike dhe as një përpjekje serioze për të kuptuar zemërimin e qytetarëve, por një paketë të re masash ndëshkuese.
Kryeministri, të cilit protestuesit po i kërkojnë dorëheqjen, po u përgjigjet me gjoba deri në 500 mijë lekë, ashpërsim të Kodit Penal, regjistra elektronikë dhe paralajmërime për pengimin e daljes jashtë vendit.
Mesazhi politik është i qartë. Kur qytetarët nuk pranojnë të heshtin, pushteti kërcënon t’ua bëjë më të kushtueshme të drejtën për të ngritur zërin.
Sigurisht, kush shkatërron prona, sulmon policinë apo ushtron dhunë duhet të përgjigjet para ligjit. Por Rama po përpiqet ta përdorë këtë të vërtetë të padiskutueshme si mbulesë për masa që rrezikojnë të kapërcejnë ndëshkimin e autorëve të dhunës dhe të prekin vetë hapësirën e protestës.
Sepse një gjë është të ndëshkosh atë që thyen, dhe krejt tjetër të kërcënosh me gjoba të rënda njerëzit që qëndrojnë në një tubim ku të tjerë kryejnë akte të dhunshme.
Kush e përcakton kufirin mes protestuesit dhe të dyshuarit? Dhe kush do ta garantojë që një polici nën urdhrat e qeverisë të mos e përdorë këtë hapësirë ligjore kundër kundërshtarëve të pushtetit?
Regjistri elektronik për personat e referuar ose nën hetim, është një tjetër kambanë alarmi. Të qenët nën hetim nuk do të thotë të jesh fajtor.
Megjithatë, Rama propozon një mekanizëm që mund të grumbullojë të dhëna për njerëz ende të paprovuar fajtorë, ndërsa paralajmëron edhe kontrolle në kufi për ata që, sipas autoriteteve, mund t’u shmangen përgjegjësive penale.
Pa kritere të qarta dhe garanci efektive kundër abuzimit, këto masa rrezikojnë të kthehen në mjete presioni dhe stigmatizimi.
Kryeministri përmend Francën, Italinë dhe partnerët europianë për t’i dhënë paketës vulën e legjitimitetit. Por imitimi i modeleve të huaja nuk e shfajëson asnjë qeveri nga detyrimi për të respektuar Kushtetutën.
Evropa, nuk është një çek i bardhë që Rama mund ta përdorë sa herë kërkon të zgjerojë kompetencat e shtetit mbi qytetarin.
Edhe ndërhyrjet ndaj përmbajtjeve në rrjetet sociale, ndëshkimet për maskimin dhe perimetrat e sigurisë kërkojnë kontroll të rreptë.
Përndryshe, nën pretekstin e parandalimit të dhunës, mund të krijohen mekanizma që frenojnë jo vetëm aktet kriminale, por edhe mobilizimin qytetar, kritikën dhe kundërshtimin politik.
Paradoksi është i dukshëm. Sa më shumë i kërkohet dorëheqja, aq më shumë Rama flet për ndëshkime. Në vend që të përballet me arsyet pse qytetarët dalin në rrugë, ai përpiqet ta zhvendosë konfliktin nga përgjegjësia e qeverisë te sjellja e protestuesve.
Kështu, një krizë politike rrezikon të trajtohet kryesisht si problem policor. Por zemërimi qytetar nuk zhduket me gjoba, as pakënaqësia nuk burgoset me dekrete.
Përkundrazi, kur pushteti përgjigjet ndaj kërkesave politike me kërcënime ndëshkuese, ai ushqen dyshimin se po kërkon të mbrojë veten përpara se të mbrojë rendin demokratik.
Rama thotë se protesta paqësore do të mbrohet dhe dhuna do të ndëshkohet. Atëherë le të provojë se kjo nuk është vetëm një formulë propagandistike Le të garantojë që askush të mos ndëshkohet për bindjet politike, pjesëmarrjen paqësore në protesta apo dyshime të paprovuara.
Sepse shteti nuk është prona e kryeministrit dhe policia nuk është gardë personale e pushtetit. Qytetarët nuk kanë nevojë për lejen e Ramës për të kërkuar dorëheqjen e tij.
Një kryeministër që përballë revoltës sheh vetëm gjoba, burgje dhe regjistra rrezikon ta ngatërrojë qeverisjen me nënshtrimin.
Dhe kur përgjigjja ndaj krizës është zgjerimi i mjeteve ndëshkuese, pyetja nuk është më vetëm se si do të ndëshkohet dhuna, por sa larg mund të shkojë pushteti në emër të luftës kundër saj.
Ky është thelbi i rrezikut që mbart turravrapi i Ramës. Jo se çdo masë kundër dhunës është e papranueshme, por se një qeveri e vënë përballë një krize legjitimiteti mund të tundohet ta përdorë ligjin si mburojë për veten dhe si presion ndaj qytetarëve.
Në një demokraci, ligji duhet ta kufizojë pushtetin, jo t’i japë atij mjete të pakufizuara për të kontrolluar kundërshtimin.
Rama mund të propozojë sa paketa të dëshirojë. Por nuk mund ta shuajë me kërcënime pyetjen që po jehojnë protestat: kush duhet të japë llogari para qytetarëve, pushteti që qeveris apo qytetarët që kërkojnë ndryshimin e tij? \tesheshi






