Ballina Artikuj Udhëzimi profetik në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit dhe në natën...

Udhëzimi profetik në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit dhe në natën e Kadrit

Kanë ardhur një grup hadithesh të sakta që flasinpër vlerën e dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, ndër të cilat është edhe Nata e Kadrit. Këto hadithe sqarojnë me hollësi udhëzimin e veçantë të Profetit (a.s) për këto netë të bekuara.

Prej tyre është hadithi i Ebu Seid el-Hudriut, sipas të cilit Xhibrili (a.s) e urdhëroi Profetin (a.s) që ta kërkonte Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit. Profeti (a.s) u ngrit dhe mbajti një fjalim në mëngjesin e ditës së njëzetë të Ramazanit dhe tha: “Kush ka bërë itikaf me Profetin (a.s), le të kthehet (ta vazhdojë), sepse mua m’u tregua Nata e Kadrit, por më pas e harrova; ajo është në dhjetë netët e fundit dhe në netët teke.”

Ky hadith e lidh Natën e Kadrit me vlerën e netëve të dhjetëshit të fundit të muajit Ramazan, sepse Nata e Kadrit është pjesë e tyre. Ndoshta shpërblimi përfshin edhe netët e tjera të këtyre dhjetë netëve, sepse Nata e Kadrit ndodhet në njërën prej tyre dhe ajo nuk është përcaktuar saktësisht se cila është.

Është transmetuar edhe një hadith tjetër nga Ibn Umeri (r.a), i cili tregon për ëndrrat që disa sahabë ia rrëfenin Profetit (a.s) lidhur me Natën e Kadrit. Ai tha se ata vazhdonin t’i tregonin Profetit (a.s) ëndrrat e tyre se ajo ishte në natën e shtatë nga dhjetë netët e fundit. Profeti (a.s) tha: “Po shoh se ëndrrat tuaja përputhen për dhjetë netët e fundit; prandaj kush dëshiron ta kërkojë, le ta kërkojë në dhjetë netët e fundit.”

Këto dy hadithe tregojnë kujdesin e madh të Profetit (a.s) dhe të sahabëve (r.a) për ta kërkuar Natën e Kadrit gjatë netëve të dhjetëshit të fundit. Udhëzimi i Profetit (a.s) në këtë kërkim ishte udhëzimi më i mirë, më i plotë dhe më i bukur. Ai i urdhëroi sahabët që ta ndiqnin sunetin e tij në kërkimin e Natës së Kadrit.

Aishja (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kërkojeni Natën e Kadrit në netët teke të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit.”

Ekziston edhe një transmetim tjetër nga Ibn Umeri (r.a) ku urdhërohet kërkimi i Natës së Kadrit në shtatë netët e fundit. Por këto shtatë janë brenda dhjetë netëve të fundit dhe llogariten prej tyre, prandaj me këtë shpjegim largohet çdo kundërshtim i dukshëm mes transmetimeve.

Çfarë nënkuptohet me “kërkimin e Natës së Kadrit”?

Kuptimi i thënies së Profetit (a.s): “Kërkojeni Natën e Kadrit” është: kërkoni Natën e Kadrit dhe përpiquni ta arrini me përkushtim në namaz dhe lutje, me shpresën për të përfituar shpërblimin e madh që i takon atij që e gjen atë natë.

Duke qenë se hadithet që përcaktojnë cila natë është Nata e Kadrit janë të shumta—disa thonë në netët teke të dhjetë netëve të fundit, të tjera thonë në të gjitha netët e dhjetë ditëve të fundit—muslimani duhet të përpiqet me përkushtim në të gjitha këto netë, pa u kufizuar vetëm në një natë të veçantë, duke u falur dhe duke bërë lutje, në mënyrë që të mos humbasë këtë të mirë. Kështu mund të përputhet me Natën e Kadrit dhe të përfitojë shpërblimin, mëshirën dhe veçantinë e saj, duke qenë nga të pranuarit.

Kërkimi i Natës së Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit është nga suneti i Profetit (a.s), siç shihet në hadithin kur sahabët diskutuan për caktimin e Natës së Kadrit. Profeti (a.s) u shfaq dhe tha: “Dola për t’ju treguar Natën e Kadrit, por u grindën të tjerët, kështu që e hoqa. Kërkojeni atë në netët: të nëntë, të shtatë dhe të pesë.”

Kur ai (a.s) tha: “Shpresoj që kjo të jetë mirë për ju”, nënkupton se kërkimi i Natës së Kadrit me shumë adhurim dhe përkushtim është më i dobishëm dhe më i vlefshëm në këtë mënyrë.

Nga kjo na bëhet e qartë urtësia e kërkimit të Natës së Kadrit në dhjetë netët e fundit dhe fshehjes së saj nga njerëzit. Siç shpjegon Imam Tabari, transmetimet për këtë janë të sakta dhe të njëtrajtshme: të gjitha tregojnë se ajo është në dhjetë netët e fundit, dhe nuk është e pazakontë që çdo vit të ndodhë në një prej këtyre netëve, siç thotë Ebu Kilabe. Profeti (a.s) e ka caktuar kërkimin e Natës së Kadrit vetëm brenda muajit Ramazan, jo në muajt e tjerë. Ai tha: “Ajo është në dhjetë netët e fundit, në një natë teke.”

Dhe nuk ka një natë të caktuar, sepse nëse do të ishte një natë e veçantë, i pari që do ta dinte do të ishte Profeti (a.s) për ta udhëzuar umetin e tij.

Shejh Ibn Uthejmini (r.h) shton se fshehja e Natës së Kadrit ka dy përfitime të mëdha:

1 – Tregon sinqeritetin e atij që e kërkon, sepse ai që është sinqerisht i përkushtuar nuk i shqetëson lodhja e dhjetë netëve për ta arritur, ndërsa i lene në letargji nuk përpiqet për një natë të vetme.

2 – Rrit shpërblimin e muslimanëve përmes veprave të shumta, sepse sa më shumë të bëhet punë e mirë, aq më shumë shpërblim ka.

Arsyeja pse kjo natë quhet Nata e Kadrit

Ajo quhet kështu sepse në këtë natë caktohen të gjitha fatet, si për furnizimet (rizku), ashtu edhe për jetët e njerëzve për atë vit. Allahu thotë në Kuran: “Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili) zbresin në të me urdhër të Zotit të tyre për çdo çështje”[1]

Kjo do të thotë se engjëjt dhe Xhibrili zbresin nga qiejt në tokë me çdo urdhër të përcaktuar për atë natë, dhe nuk bëjnë asgjë pa lejen e Allahut.

Allahu thotë edhe: “Në të ndahet çdo punë e mençur”[2]

Suneti i Profetit (a.s) në Natën e Kadrit

Është transmetuar nga Profeti (a.s): “Kush që qëndron në namaz natën e Kadrit me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, Allahu ia fal të gjitha mëkatet e mëparshme.”

Dhe në Musned nga Ubade transmetohet se profeti (a.s) ka thënë: “Kush e ngrihet për të në namaz duke e kërkuar atë (Natën e Kadrit), Allahu ia fal mëkatet e mëparshme dhe të ardhshme.”

Në një hadith tjetër: “I falen mëkatet e mëparshme dhe të ardhshme.”

Që të qëndrosh natën e Kadrit do të thotë që në atë natë të falësh namazin e natës (tehexhudin) dhe t’i drejtohesh Allahut me lutje. Profeti (a.s) urdhëroi Aishen (r.a) të lutej në këtë natë. Sufjani thotë: Lutja në këtë natë është më e dashur për mua se namazi.

Udhëzimet e veçanta të Profetit (a.s) për dhjetë netët e fundit

– Profeti (a.s) përpiqej në dhjetë netët e fundit më shumë se në çdo kohë tjetër. Aishja (r.a) tha: “Ai përpiqej në dhjetë netët e fundit më shumë se në të gjitha netët e tjera.”

– Ai zakonisht distancohej nga gratë, përkushtohej në adhurim dhe bënte itikafpër adhurim dhe i’tikaf. “Kur hynte dhjetëshi, ai zgjonte natën, zgjonte familjen dhe shtrëngonte rrobat e tij (për t’u përkushtuar adhurimit).” “Shtrëngimi i rrobës” është shenjë për përgatitje dhe përkushtim në adhurim ose për të qenë larg grave.

– Ai kalonte natën në namaz dhe e kishte zakon të zgjonte familjen për namaz. Aliu (r.a) transmeton: “Profeti (a.s) zgjonte familjen e tij në dhjetë netët e fundit.”

– Ai kombinonte namazin, leximin e Kuranit, lutjet dhe përkushtimin, duke reflektuar mbi ajetet e mëshirës dhe ndëshkimit.

– Gjatë Natës së Kadrit, ai lajmëronte familjen të lutej dhe të lexonte Kuran, dhe për çdo ajet me mëshirë kërkonte shpërblim, për çdo ajet me dënim, kërkonte mbrojtje.

– Higjiena dhe pastrimi: Ai lahej midis ezanit të Akshamit dhe Jacisë gjatë dhjetë netëve të fundit dhe disa herë përdorte aromë

– Dita e veçantë për lutje: Ai mësoi atë që e arrin Natën e Kadrit të lutet me një lutje të veçantë, që Aishja (r.a) e transmeton: “O Allah, Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal mua.”

– Profeti (a.s) bënte itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, dhe ai që bën itikafi i është ndaluar të afrohet me gratë e tij, sipas tekstit dhe konsensusit. Abdullah ibn Umeri (r.a) transmeton se: “Profeti (a.s) bënte itikaf në dhjetë netët e fundit të Ramazanit.” Nafi’iju tha se Abdullah ibn Umeri i tregoi vendin ku Profeti (a.s) bënte itikaf në xhami.

Në El-Muvatta thuhet: Nga Said ibn El-Asib dhe Urve ibn Zubejr transmetohet se ata dëgjuan Aishen (r.a) të thoshte: “Suneti në itikaf është që nuk preket gruaja, nuk kryhet marrëdhënie, nuk vizitohet i sëmuri, nuk ndiqet xhenazja, nuk dilet vetëm se në rast nevojë, dhe itikafi bëhet vetëm në xhami me xhemat. Kush bën itikaf e ka për detyrë edhe agjërimin.”

Kjo tregon rëndësinë e përkushtimit dhe disiplinës gjatë itikafit në dhjetë netët e fundit.

Autor: Idriz Ahmed

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Sure Kadr: 4.

[2] – Sure Duhan: 4.