Ukraina – fokusi i Konferencës së Sigurisë që po mbahet në Munih

Rreth 40 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Evropën dhe Kinën, po marrin pjesë në Konferencën tre-ditore të Sigurisë që po zhvillohet në Munih në Gjermani.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky do të japë fjalimin e hapjes të premten, përmes një videolidhjeje, ku pushtimi rus i Ukrainës pritet të dominojë ngjarjen pas pothuajse një viti lufte që ka prodhuar pasoja në mbarë botën, raportoi Associated Press.

Për herë të parë në dy dekada, organizatorët e konferencës nuk ftuan zyrtarë rusë. Vendet perëndimore kanë kërkuar të izolojnë Rusinë në mënyrë diplomatike lidhur me luftën e Ukrainës, që filloi më 24 shkurt 2022.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se lufta e Rusisë në Ukrainë do të errësonte procedurat.

Zyrtarët dhe analistët perëndimorë thonë se konflikti po i afrohet një faze kritike pasi hyn në vitin e dytë javën e ardhshme.

“Lufta nuk është thjesht një konflikt evropian, por ka implikime përtej kontinentit”, ka thënë Pistorius.

Ekonomitë anembanë botës janë tërhequr nga ndikimi i luftës në furnizimet me drithëra, çmimet e energjisë dhe inflacionin.

Nënpresidentja e SHBA-së, Kamala Harris, do të bashkohet me liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe në konferencën e Mynihut.