Ukraina konfirmon armëpushimin e përkohshëm në dy qytete

Pushtimi rus në Ukrainë kanë hyrë në ditën e dhjetë. Qindra civilë janë vrarë deri më tani si pasojë e sulmeve të pandërprera. Palët ukrainase dhe ajo ruse kanë zhvilluar deri më tani dy runde bisedimesh por pa ndonjë marrëveshje konkrete. Pritet që së shpejti të zhvillohet edhe rundi i tretë
09:38 – Korridoret e evakuimit po përgatiten për hapje në Mariupol dhe Volnovakha

Në disa pjesë të Ukrainës po përgatiten korridoret e evakuimit, ka thënë të shtunën Mykhailo Podoliak, kreu i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Në Mariupol dhe Volnovakha po përgatiten për hapje korridoret e evakuimit humanitar, po krijohen kolona nga ata që janë subjekt evakuimi. Palët pushuan përkohësisht zjarrin në zonën e korridoreve,” ka thënë Podoliak në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.

Më herët të shtunën, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se do të ndalojë bombardimet e Mariupolit dhe Volnovakha-s për të lejuar që civilët të largohen në mënyrë të sigurt nga shtëpitë e tyre.

Zyrtarët perëndimorë kanë vënë re një zhvendosje në strategjinë ruse nga objektivat ushtarake te civilët, me më shumë sulme të fokusuara në qendrat e popullsisë.

Ndërkohë, Rusia është gati të vendosë deri në 1000 mercenarë të tjerë në Ukrainë në ditët dhe javët e ardhshme, pasi një zyrtar i lartë i inteligjencës perëndimore paralajmëroi se Moska mund të “bombardojë qytetet në nënshtrim”, një përshkallëzim që mund të çojë në një numër më të madh të viktimave civile.