Ulëset e garantuara për serbët në Kuvend – problem për Kosovën, a mund të ndryshohet Kushtetuta?

Kuvendi i Kosovës tash e sa kohë po dështon të votoj Ligjin për Arsimin e lartë dhe ligje të tjera me interes vital për vendin e që kërkojnë shumicën e dyfishtë të deputetëve të parlamentit.

Kjo, pasi serbët tash e sa muaj po e bojkotojnë Kuvendin dhe nuk po marrin pjesë nëpër seanca, shkruan lajmi.net.

Por ky nuk është problemi i vetëm. Ulëset e garantuara për serbët në Kuvendin e Kosovës i kanë shkaktuar probleme parlamentit edhe më herët, sidomos në votimin e ligjeve me shumicë të dyfishtë ku kërkohet edhe shumica e 20 ulëseve të garantuara për minoritetet 11 nga të cilat iu takojnë serbëve.

Lajmi.net ka kontaktuar me njohësin e Kushtetutës, Riza Smaka për të diskutuar në lidhje me dispozitat ligjore të ulëseve të garantuara dhe për mandatin e deputetit.

Smaka për lajmi.net është shprehur se ky është propozim i Ahtisarit dhe se nuk ka rast precedent në Kushtetutat e Unionit Evropian që minoritetet të kenë vende të garantuara në Kuvend.

“Po të mos e kishim pasur propozimin e Ahtisarit, formulimi i tillë nuk do të kishte ekzistuar në Kushtetutë, sepse të drejtat e komuniteteve mund të garantoheshin në harmoni me Konventën e Unionit Evropian për Komunitete e jo sipas propozimit të Ahtisarit që i tej favorizon serbët si minoritar në Kosovë që nuk ka rast precedent në kushtetutat e Unionit Evropian”, tha Smaka.

I pyetur për procedurën e ndryshimit të Kushtetutës, Smaka është shprehur se kjo është e qartë, por duket e paarritshme.

Sipas tij, ky tentim do të ngjallte reagimin e ndërkombëtarëve dhe njëkohësisht do të ishte e pamundur sepse do të duhej pëlqimi i Listës Serbe si përfaqësues të serbëve në Kuvend.

“Për ta ndryshuar atë, procedura mbetet e qartë, por pothuajse është e paarritshme. Sepse do të duhej të jepej vlerësimi se nuk cenohen të drejtat e garantuara të minoritetit serb dhe me siguri se do të kishim pasur një rezistencë të paparë nga faktori ndërkombëtar dhe ajo që është më e vështira është se ndryshimi i Kushtetutës në këtë sferë do të kërkonte pëlqimin e Listës Serbe si përfaqësues në Kuvend nga të cilët nuk mund të presim votë pro. Do të duhej të modifikohej kushtetuta, por praktikisht del të jetë e pamundshme”, tha Smaka

I pyetur në fund për kohën të cilën i lejohet një deputeti të mos paraqitet në seanca dhe si mund t’i merret mandati, Smaka ka treguar se është një periudhë kohore prej 6 muajsh, gjë që nuk është aspak në rregull.

“Deri në gjashtë muaj, faktikisht kushtetuta ia garanton deputetit mandatin edhe nëse nuk merr pjesë në asnjë seancë, përmbi gjashtë muaj mund t’i merret mandati dhe në vendin e tij do të vinte tjetri apo tjetra që ka qenë i radhitur në listë. Dhe kjo fare nuk është në rregull, është absurde që të lejohet gjashtë muaj të mos marrë pjesë dikush, kjo do të duhej të ndryshohej dhe gjithashtu do të duhej të ndryshohej ajo që një deputet nga një parti politike, pastaj po shpallet deputet i pavarur ose ndryshon grupin parlamentar që nuk ia ka dhënë asnjë votë”, tha Smaka për lajmi.net.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike, Avni Mazreku për lajmi.net është shprehur se kjo ndodh si pasojë e marrëveshjes së 18 prillit të vitit 2013 që i ka mundësuar Serbisë rolin e drejtpërdrejtë në vendimmarrje.

“Kjo është pasojë e marrëveshjes së 18 prillit të vitit 2013 ku në fakt pranohet përfaqësimi i serbëve përmes kësaj organizate politike pra Listës Serbe, normalisht kjo është arritja më e madhe e Serbisë pas luftës, kur dihet që në një mënyrë ose tjetër, Serbia ka rol të drejtpërdrejt në vendimmarrje në Kosovë”, tha Mazreku për lajmi.net.

Sipas Mazrekut, ky atribut që i jepet Listës Serbe mundëson përfaqësimin e interesave të qeverisë së Serbisë në institucionet e Kosovës.

Kjo sipas tij, do t’i shkaktojë probleme edhe në të ardhmen Kosovës në uniformitetin institucional dhe në vendimmarrje.

“Pikërisht nga vet fakti që iu jepet ky atribut Listës Serbe, do të ishte mirë që serbët të përfaqësoheshin nga vet serbët e Kosovës dhe jo interesat e një qeverie tjetër, një qeverie që është në pozicione pothuajse armiqësore dhe destruktive në raport me Kosovën. Kjo do t’i shkaktoj probleme Kosovës edhe në të ardhmen sa i përket uniformitetit institucional dhe vendimmarrjes nëpër institucione”, tha Mazreku për lajmi.net.

Përveç bojkotit që i bëjnë Kuvendit të Kosovës, anëtarët e Listës Serbe kanë bojkotuar edhe postet e tyre si ministra e zëvendësministra të qeverisë Haradinaj.

Gjithashtu, kryetarët e Komunave të veriut të Kosovës që vijnë nga kjo parti politike, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre gjë që ka dërguar në shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 19 maj.