“Unë shpëtoj njerëz, por nuk po mund të shpëtoj nënën time”

“Unë shpëtoj njerëz, por nuk po mund të të shpëtoj ty nënë”, këto kanë qenë fjalët nga lutjet dhe pasthirrmat e filmuara të një punonjësi të mbrojtjes civile i cili kërkonte ndihmë për shpëtimin e nënës së tij, të mbetur nën rrënojat e shkaktuara si pasojë e masakrave të kryera kundër civilëve nga regjimi i Bashar al-Assadit, në rajonin e Gutës Lindore në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Regjimi i Assadit ka vrarë 75 civilë në sulmet ajrore dhe tokësore dje në rajonin e Gutës Lindore që është nën rrethim, në kryeqytetin Damask.

Samir Selim, shefi i degës 104 të Mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha) që kryejnë operacionet e kërkim-shpëtimit gjatë sulmeve, pas bombardimeve ai ka vajtur në zonën ku kishin rënë bombat në rrugën në të cilën ndodhej edhe shtëpia ku jetonte nëna e tij.

Gjatë realizimit të pamjeve me qëllim dokumentimin e vdekjeve të civilëve dhe shtëpive të shembura, Selim është përballur me trupin e nënës së tij e cila ndodhej e bllokuar nën rrënoja.

Në pamjet e publikuara në median sociale nga Mbrojtja Civile dëgjohet zëri dhe pasthirrmat e Selim i cili kërkonte ndihmë: “Nënë të më falësh! Ebu Fehid, Amir, ejani nëna ime ndodhet nën rrënoja! Merrni krikun, nuk mund ta nxjerr nënën! Hasbunallah (Allahu na mjafton). Unë shpëtoj njerëz, por nuk po mund të të shpëtoj ty nënë. Mëshira e Allahut qoftë mbi ty. Zoti të bëftë ndërmjetëse ty për ne. Allahu marrtë hak për këtë nga Bashar al-Assadi dhe fëmijët e tij. Kjo grua është 80 vjeç! Nuk është as e armatosur, as terroriste. O Zot, jemi të pafuqishëm, na bëj triumfues. Unë shpëtoj njerëz, por nuk po mund të shpëtoj nënën time”.

Guta Lindore e cila është nën kontrollin e opozitarëve është ndër zonat e reduktimit të konflikteve të shpallur në marrëveshjet e Astanas.

Por, regjimi i Assadit, për të cilin Rusia është vendi garantues, ka ashpërsuar sulmet e tij muajt e fundit duke intensifikuar bllokadën e rajonit që nga muaji prill.

Mijëra civilë të sëmurë pritet të evakuohen nga rajoni ku kriza humanitare po thellohet gjithnjë e më shumë. Shumica e të sëmurëve janë fëmijë dhe persona të diagnostikuar me kancer të përparuar. Si pasojë e urisë dhe mungesës së ilaçeve shumë fëmijë dhe foshnja në Gutën Lindore kanë humbur jetën.

Në 43 ditët e fundit në Gutën Lindore ku jetojnë përafërsisht 400 mijë njerëz, kanë humbur jetën të paktën 524 civilë dhe rreth 2.000 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve të regjimit të Asadit, ku herë pas here marrin pjesë edhe avionët luftarakë rusë.