Ballina Lajmet Rajon dhe Botë UNICEF: Sulmi me dron në një treg në Sudan lë mbi 30...

UNICEF: Sulmi me dron në një treg në Sudan lë mbi 30 të vrarë e të plagosur, përfshirë fëmijë

Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF) ka bërë të ditur se një sulm me dron ndaj një tregu në shtetin e Kordofanit të Veriut në Sudan vrau të paktën gjashtë persona, përfshirë dy fëmijë, si dhe plagosi mbi 26 të tjerë, si dhe ka paralajmëruar se fëmijët vazhdojnë të mbajnë barrën më të rëndë të konfliktit në përshkallëzim në vend, transmeton Anadolu.

UNICEF tha se sulmi goditi një treg në qytetin Al-Rahad, duke vrarë dy fëmijë dhe katër të rritur, ndërsa plagosi më shumë se 20 persona, përfshirë gjashtë fëmijë të moshës nga 6 deri në 14 vjeç.

“Ky sulm i fundit është një kujtesë e qartë e pasojave të tmerrshme që konflikti vazhdon të ketë mbi fëmijët në mbarë Sudanin”, tha përfaqësuesi i UNICEF-it në Sudan, Sheldon Yett.

“Tregjet janë vende ku familjet mblidhen për të blerë ushqime, për të siguruar jetesën dhe për të plotësuar nevojat e tyre bazë. Ato nuk duhet të shndërrohen kurrë në vende vdekjeje dhe shkatërrimi”, shtoi ai.

Yett tha se dhuna e fundit brenda dhe rreth qytetit El-Obeid, kryeqyteti i Kordofanit të Veriut, ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, por paralajmëroi se situata në të gjithë shtetin mbetet “thellësisht alarmante”.

Ai tha se komunitetet në Dilling dhe Kadugli në Kordofanin e Jugut, pjesë të Darfurit të Veriut dhe zonat e Nilit Blu të prekura nga zgjerimi i konfliktit vazhdojnë të përballen me pasiguri të rëndë, zhvendosje dhe nevoja humanitare në rritje.

“Kudo që përhapet konflikti, fëmijët paguajnë çmimin më të lartë”, tha Yett.

Sipas UNICEF-it, sulmet e përsëritura po shkatërrojnë shtëpi, shkolla, objekte shëndetësore, rrjete ujësjellësi dhe tregje, duke ua mohuar fëmijëve qasjen në kujdes shëndetësor, arsim, ushqim, ujë të pastër dhe shërbime sanitare, ndërsa gjithnjë e më shumë familje detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre.

Agjencia paralajmëroi gjithashtu se sulmet dhe pasiguria përgjatë rrugëve kryesore të furnizimit po pengojnë operacionet humanitare dhe po kufizojnë qasjen në disa nga komunitetet më të cenueshme të vendit.

“Çdo fëmijë i vrarë ose i plagosur është një fëmijë më shumë se ç’duhet”, tha Yett, duke u bërë thirrje të gjitha palëve në konflikt të mbrojnë civilët dhe infrastrukturën civile, të respektojnë detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të garantojnë qasje të sigurt, të shpejtë dhe të papenguar për ndihmën humanitare.

Sudani është përfshirë nga luftimet mes ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i vitit 2023, duke shkaktuar atë që OKB-ja e ka cilësuar si një nga krizat më të mëdha humanitare dhe të zhvendosjes në botë.