Ushtria e Mianmarit nderon murgun anti-musliman, liron të burgosurit

Murgu Wirathu ka qenë prej kohësh i njohur për retorikën e tij ultra-nacionaliste, anti-muslimane, veçanërisht kundër Rohingëve të Mianmarit.

Një murg ultranacionalist në Mianmar, i cili dikur u quajt “fytyra e terrorit budist” për rolin e tij në nxitjen e urrejtjes fetare kundër muslimanëve, ka marrë një çmim prestigjioz kombëtar ndërsa sundimtarët ushtarakë të vendit festojnë pavarësinë nga Britania.

Murgut, Wirathu, iu dha titulli nderi “Thiri Pyanchi” për “punën e tij të jashtëzakonshme për të mirën e Unionit të Mianmarit”, tha ekipi i informacionit i ushtrisë këtë javë, përpara festimeve të ditës së pavarësisë së vendit.

I prezantuar me çmimin nga sundimtari ushtarak i vendit, gjenerali Min Aung Hlaing, Wirathu ishte në mesin e qindra njerëzve që morën tituj nderi dhe forma të tjera njohjeje pasi vendi shënoi të mërkurën 75 vjetorin e pavarësisë nga Britania.

Wirathu ka qenë prej kohësh i njohur për retorikën e tij ultra-nacionaliste dhe anti-islame – veçanërisht kundër pakicës muslimane Rohingya të Mianmarit. Në vitin 2013, ai u shfaq në kopertinën e revistës Time me titullin, Fytyra e Terrorit Budist.

Ai ka bërë thirrje për bojkot të bizneseve në pronësi muslimane dhe kufizime në martesat mes budistëve dhe muslimanëve.

Grupet e të drejtave të njeriut kanë akuzuar Wirathu se ka ndihmuar në nxitjen e armiqësisë ndaj komunitetit Rohing, duke hedhur themelet për një operacion ushtarak në vitin 2017 që detyroi rreth 740,000 Rohingya të iknin përtej kufirit në Bangladesh.

Disa mijëra të burgosur ishin planifikuar gjithashtu të liroheshin për të shënuar festën kombëtare të mërkurën, sipas mediave lokale, megjithëse nuk dihej nëse të burgosurit politikë do të ishin në mesin e 7,012 të raportuarve që do të liroheshin.

Populli i persekutuar

Muslimanët Rohinga, të përshkruar nga OKB-ja si njerëzit më të persekutuar në botë, janë përballur me frikën e shtuar të sulmeve pas vrasjes së dhjetëra Rohigëve në dhunën lokale në vitin 2012.

Sipas organizatës “Amnesty International”, më shumë se 750.000 refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh në mbi 1.2 milionë deri në vitin 2019,

Që nga 25 gushti i vitit 2017 afro 24.000 muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat e shtetit të Mianmarit, thuhet në një raport të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontario (OIDA).

Më shumë se 34.000 Rohingë u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114.000 të tjerë u rrahën, thuhet në raportin e OIDA-s, me titull “Migrimi i detyruar i Rohingëve: Përvoja e Parrëfyer”.

Sipas këtij raporti, rreth 18.000 gra dhe vajza Rohinga u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115.000 shtëpi Rohinge u dogjën ndërsa 113.000 të tjera u vandalizuan. /aa/mesazhi