Ushtria e Sudanit njofton lirimin e të burgosurve politikë

Abdel Fattah al-Burhan

Ushtria e Sudanit ka njoftuar se do të lirojë të burgosurit politikë për të krijuar një atmosferë të favorshme për dialog në vendin e goditur nga kriza, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne kemi nisur procedurat për lirimin e të burgosurve politikë brenda dy ose tre ditëve”, tha në një deklaratë udhëheqësi i ushtrisë sudaneze, gjenerali Abdel Fattah al-Burhan.

Ai tha se masa kishte për qëllim “krijimin e një atmosfere për dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje politike”.

Kreu i Këshillit Sovran qeverisës të Sudanit, Al-Burhan u takua me prokurorin e shtetit dhe kryegjyqtarin për të shqyrtuar situatën ligjore të të arrestuarve dhe për të përshpejtuar procedurat për lirimin e tyre.

Ai tha se ushtria ishte gati të tërhiqej dhe t’ua dorëzonte pushtetin civilëve në rast të një marrëveshjeje midis forcave politike.

Sudani ka qenë skenë e një krize të thellë politike që nga 25 tetori 2021, kur ushtria përmbysi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdullah Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Masa u dënua nga grupet politike sudaneze si një grusht shteti ushtarak. Që atëherë, ka pasur protesta të përditshme në Sudan nga njerëz që kërkojnë qeverisje të plotë civile.

Koalicioni opozitar i Forcave për Liri dhe Ndryshim në Sudan tha të enjten se nuk do të vazhdojë asnjë proces politik pa lirimin e të burgosurve politikë dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme. /aa