Ushtria izraelite ndalon pushimet për trupat luftarake mes tensioneve në rritje me Iranin

Ushtria izraelite (IDF) ka ndaluar lejen për pushim për forcat e saj luftarake në mes të tensioneve në rritje me Iranin pas sulmit të kësaj jave në Konsullatën e Iranit në Siri, transmeton Anadolu.

“Në përputhje me vlerësimin e situatës është vendosur që pushimi do të ndërpritet përkohësisht për të gjitha njësitë luftarake të IDF-së. IDF-ja është në luftë dhe çështja e dislokimit të forcave rishikohet vazhdimisht sipas nevojës”, njoftoi ushtria izraelite.

Të hënën, të paktën shtatë anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, përfshirë dy gjeneralë të lartë, u vranë në një sulm ndaj konsullatës iraniane në Damask.

Irani ka akuzuar Izraelin për kryerjen e sulmit dhe është zotuar se do t’i përgjigjet sulmit vdekjeprurës. Izraeli nuk e ka marrë zyrtarisht përgjegjësinë për sulmin.

Sipas mediave izraelite, autoritetet në Tel Aviv konsiderojnë hapjen e strehimoreve mes kërcënimeve iraniane për hakmarrje ndaj sulmit.

Dje, ushtria izraelite vendosi të thërrasë ushtarë rezervë në grupin e saj të mbrojtjes ajrore, në një lëvizje të cilësuar nga mediat lokale si një masë paraprake kundër sulmeve të mundshme hakmarrëse nga Irani.