Ushtria izraelite: Një ushtar i plagosur në Bregun Perëndimor dhe 8 palestinezë të arrestuar

Ushtria izraelite njoftoi se 8 palestinezë u arrestuan gjatë bastisjeve të saj në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor të pushtuar dhe një ushtar izraelit u plagos lehtë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se bastisjet u kryen në vendbanimet Shawavira, Qalqilya, Hible, Qatanna, Beit Duqqu dhe Biddu të Bregut Perëndimor.

Në deklaratë theksohet se gjatë bastisjes në Bayt Rima në veri të Bregut Perëndimor, u hodhën gurë ndaj ushtarëve izraelitë dhe një ushtar u plagos lehtë. Mësohet se ushtari i plagosur është dërguar në spital.

Poashtu thuhet se 8 palestinezë “të kërkuar për terrorizëm” u arrestuan në bastisje dhe u bë ndërhyrje për të shpërndarë palestinezët që protestonin kundër arrestimeve.

– Agjencia palestineze e lajmeve: 13 persona të arrestuar në Kuds dhe Bregun Perëndimor

Në lajmin e agjencisë zyrtare palestineze WAFA thuhet se forcat izraelite arrestuan 13 palestinezë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor dhe në Kuds.

Dy nga palestinezët e arrestuar nga forcat izraelite ishin Ayman Khalid al-Hudur dhe Ali Muhammed al-Hudur, të cilët më parë ishin të burgosur të liruar që jetonin në Biddu në veriperëndim të Kudsit.

Më tej bëhet e ditur se 6 të rinj palestinezë u arrestuan në lagjen Et-Tur të Kudsitt, 2 palestinezë u arrestuan në Al-Kubeybe dhe Beit Duqqu në veriperëndim të Kudsit, 2 në qytetin Ramallah të Bregut Perëndimor dhe një në Betlehem.

Ndërkaq nuk u dha asnjë informacion për arsyen se pse forcat izraelite arrestuan 13 palestinezët në fjalë.

Forcat izraelite, të cilat bastisin shpesh shtëpitë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor, arrestojnë palestinezët me akuza të ndryshme. /aa