Ushtria izraelite plagos dhjetëra protestues palestinezë në Bregun Perëndimor

Dhjetra palestinezë u plagosën kur ushtria izraelite shpërndau protestat dhe aktivitetet kundër vendbanimeve në disa lokacione të Bregut Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Tubimet, të cilat u zhvilluan në fshatrat Beita dhe Beit Dajan të Nablusit, u përballën me sulme të ashpra nga ushtria izraelite për të shpërndarë marshuesit.

Në një deklaratë, Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se ekuipazhet e saj iu përgjigjën 65 rasteve në të dy lokacionet.

Të paktën 13 u plagosën nga plumbat e gomës dhe 48 u ndikuan nga gazi lotsjellës.

Në fshatrat Beta dhe Beit Dajan janë organizuar aktivitete javore në kundërshtim të përpjekjeve izraelite për të konfiskuar zona të mëdha të këtyre tokave me qëllim që në to të ndërtohen vendbanime.

Ndërkohë, sipas deklaratës së aktivistit Murad Shteiwi, në Kafr Qaddoum, në lindje të qytetit të Qalqilya të Bregut Perëndimor, katër palestinezë u plagosën nga plumbat e gomës dhe dhjetëra u ndikuan nga gazi lotsjellës gjatë konfrontimeve me ushtrinë izraelite kundër vendbanimeve.

Në baza javore, palestinezët mbajnë demonstrata kundër vendbanimeve të paligjshme hebraike në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor, veçanërisht në fshatrat Beita, Beit Dajan dhe Kafr Qaddoum.

Vlerësimet izraelite dhe palestineze tregojnë se rreth 650.000 kolonë hebrenj jetojnë në 164 vendbanime dhe 116 poste në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Kudsin e pushtuar.

Sipas ligjit ndërkombëtar, të gjitha vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara konsiderohen të paligjshme. /aa