Ushtria izraelite rrënon një fshat beduinësh palestinezë pranë Kudsit Lindor

Ushtria izraelite shkatërroi një fshat beduin afër Kudsit Lindor, ku jetonin rreth 700 palestinezë, duke përfshirë 65 për qind fëmijë, raporton Anadolu Agency (AA).

“Buldozerët të shoqëruar nga ushtria izraelite rrënuan dhjetë shtëpi dhe baraka të komunitet beduin Abi al-Nawwar”, ka thënë për AA Daoud Jahaleen, një përfaqësues i bashkësisë lokale.

Ky është një vendbanim palestinez i cili ndodhet në mes të dy vendbanimeve të kolonëve hebrenj, ndërsa ushtria izraelite në shkurt rrënoi edhe shkollën në këtë fshat.

Duke patur parasysh se fshati ndodhej në zonën ku Izraeli planifikon të ndërtojë vendbanim të madhë kolonësh, në projektin e quajtur E1, fshati Abu al-Nawwar për vite ishte në shënjestër të forcave izraelite duke u përpjekur për të detyruar shpërnguljen e palestinezëve lokalë.

Kombet e Bashkuara kanë shprehur shqetësim lidhur me paralajmërimin e planit izraelit për prishjen e fshatit të beduinëve palestinezë pranë Kudsit, Khan al-Ahmar Abu al-Halo.