Ballina Jeta Shëndetësi Vajzat preken nga autizmi po aq sa djemtë

Vajzat preken nga autizmi po aq sa djemtë

Vajzat preken po aq sa djemtë nga autizmi. Këtë e thotë një studim i realizuar nga Karolinska Institute në Stokholm, që rrëzon idenë se shqetësimi është kryesisht mashkullor.

Sipas punës kërkimore të publikuar në British Medical Journal, problemi qëndron te diagnostikimi i mëvonshëm te vajzat, shumë në moshën e adoleshencës, ndërsa te djemtë dallohet në moshë pediatrike të hershme.

Të dhënat e deritanishme flasin për statistika ku janë katër djem të prekur, ndaj një vajzë. Por nëse shihen diagnozat e diferencuara për moshë, të dhënat ndryshojnë. Studiuesit suedezë kanë marrë në shqyrtim 2.7 mln individë të lindur nga 1985–2022 nga regjistrat suedezë dhe të monitoruar nga lindja deri në moshën 37 vjeç.

Gjatë kësaj periudhe, autizmi u konfirmua në 78.522 individë me moshë mesatare 14.3 vjeç. Por diagnozat u rritën më tej me rritjen e moshës së fëmijëve, duke arritur 645 raste në çdo 100 mijë individë meshkuj të moshës 10–14 vjeç dhe 603 vajza në moshën 15–19 vjeç.
Kërkimet do të vijojnë për të kuptuar se cila është arsyeja që vajzat diagnostikohen shumë më vonë në krahasim me djemtë.