Vakëfi – amaneti dhe tradita jonë që jeton dhe frymëzon

Naim ef. Tërnava

Fjala e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, në hapjen e Konferencës Shkencore “Vakëfi te shqiptarët, histori – trashëgimi – perspektivë”

Vakëfi – amaneti dhe tradita jonë që jeton dhe frymëzon

Falënderimi i takon Zotit xh.sh., i Cili na bëri të mundur që të jemi së bashku edhe sot në këtë Konferencë Ndërkombëtare, të organizuar nga Instituti për Hulumtime dhe Studime Islame nën patronatin e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovë.
Më lejoni që të përshëndes organizatorin, njëherësh drejtorin e IHSI-së, z. Sabri Bajgora, Këshillin Organizativ dhe të gjithë ata që punuan në përgatitjen e kësaj Konference që të jetë sa më e suksesshme.
I nderuar kryetar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Ajni Sinani,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë, Kuvendit, Këshillave të BI-ve,
Të nderuar profesorë të FSI-së dhe të Medresesë,
Të nderuar efendilerë, studiues, mysafirë nga Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi,
Më lejoni që në emër të gjithë ju të përshëndes mysafirët e nderuar, të cilët kanë ardhur nga disa shtete islame, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.
Me këtë rast përshëndes:
z. Haled Shahin al Ghanim, zëvendësministër në Ministrinë e Vakëfeve në Katar,
z. Mohamed al Blooshi, drejtor ekzekutiv në Ministrinë e Çështjeve Islame në Emiratet e Bashkuara Arabe,
z. Hajrullah Çelebi, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Vakëfeve në Republikën e Turqisë
z. Fahad al Majhid, zëvendësguvernator i Autoritetit të Vakëfeve në Arabinë Saudite,
I nderuari ambasador i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë z. Fejsal el Hifdhi,
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot para jush në këtë Konferencë shkencore, për të diskutuar për vakëfin dhe rolin thelbësor që ai ka luajtur në hapësirat dhe shoqërinë shqiptare. Të flasësh për vakëfin nuk është thjesht të përshkruash një institucion juridik; do të thotë të flasësh për një traditë të gjatë dhe të thellë të popullit tonë, për një amanet të çmuar që na kanë lënë paraardhësit tanë – njerëz të mirë, bujarë dhe fisnikë – të cilët kanë synuar jo vetëm t’i ruajnë pasuritë materiale, por edhe të krijojnë një ndikim të qëndrueshëm shoqëror dhe shpirtëror. Madje, ky amanet nuk është vetëm një trashëgimi e së kaluarës, por vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë edhe në ditët e sotme përmes veprave të reja të lëna vakëf.
Duhet pasur parasysh se, vakëfi nuk është vetëm një strukturë juridike, por një vlerë e lartë shpirtërore dhe një mekanizëm fisnik i organizimit shoqëror, që ka ndihmuar në mbajtjen e balancës dhe solidaritetit brenda komuniteteve dhe popullit shqiptar. Përmes vakëfit, paraardhësit tanë, jo vetëm që siguronin burime për bamirësi, por edhe kultivonin ndjeshmërinë, përgjegjësinë dhe lidhjet e forta shoqërore dhe vëllazërore, të cilat mbeten të vlefshme edhe sot.
Prandaj, me lejoni të shpreh mirënjohjen time organizatorit, Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, për organizimin dhe mbajtjen e kësaj Konference, e cila ka një rëndësi të veçantë për studimin e vakëfit dhe për thellimin e kuptimit të rolit të tij në shoqërinë shqiptare. Kjo iniciativë, jam i bindur se do të ofrojë një hapësirë të vlefshme për studiuesit e fushave përkatëse që të ndajnë njohuritë, analizat dhe rezultatet e tyre kërkimore, duke pasuruar diskursin shkencor mbi një traditë të thellë dhe me ndikim të vazhdueshëm ndër ne.
Po ashtu, më lejoni që, para se të paraqes disa vlerësime të mia lidhur me vakëfin, rolin dhe rëndësinë e tij, si dhe disa aspekte të veprimtarisë dhe personaliteteve të vakëflënësve të shquar shqiptarë gjatë historisë, të konstatoj se, edhe pse disa dijetarë e gjejnë gjenezën e vakëfit që në kohën e Ibrahimit a.s., historia e tij si institucion i strukturuar nis qartë nga periudha e Pejgamberit të fundit Muhamedit a.s. dhe vazhdon përgjatë shekujve të mëvonshëm, duke u formësuar si në aspektin fetar ashtu edhe në atë juridik.
Vakëfi u mbështet në parimet kuranore dhe në praktikën pejgamberike, e më pas mori përmasa të qarta ligjore në traditën islame klasike, deri në ditët tona, ku ruan rolin e vet, ani pse funksionon në rrethana të ndryshuara historiko-shoqërore. Rëndësia e vakëfit në Islam nuk kufizohet vetëm në anën fetare, por shtrihet edhe në të gjitha aspektet e jetës. Vakëfi, përgjatë shekujve islamë, ka qenë një mjet i fuqishëm për mbështetjen e dijes, kujdesin ndaj të varfërve dhe sigurimin e burimeve për jetës.
Zoti xh.sh., thotë:
“Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im i jep begati të bollshme kujt të dojë nga robërit e Tij dhe ia pakëson kujt të dojë. Ai ua zëvendëson atë që e ndani ju; Ai është Dhuruesi më i mirë.” (Es Sebe, 39).
Vakëfi në kohën e Muhamedit a.s., ishte themeli mbi të cilin u ndërtuan vlerat e solidaritetit shoqëror në Islam. Pejgamberi a.s., i nxiste myslimanët të investonin pasurinë e tyre në vepra bamirësie, nga të cilat përfitimi vazhdon pa ndërprerje edhe sot.
Një nga shembujt më të spikatur është udhëzimi i tij për sahabiun e nderuar Othman ibën Afanin, Allahu qoftë i kënaqur me të, që të blinte pusin e Ruvmës për ta bërë vakëf për myslimanët.
Në atë kohë, vakëfi shprehte shpirtin e thellë të një besimtari, i cili synonte kënaqësinë e Allahut përmes veprave që mbeten me ndikim të vazhdueshëm te shoqëria islame. Brenda këtij spektri hyn edhe ajeti i 92-të, i kaptinës Ali Imran, në të cilin Allahu xh.sh. thotë:
“Nuk keni për ta arritur përkushtimin e vërtetë, derisa të ndani (lëmoshë) nga ajo (pasuri) që e doni. Çfarëdo që të ndani, Allahu e di mirë atë.” (Ali Imran, 92).
Ky ajet lidhet ngushtë me konceptin e vakëfit, sepse merr për bazë dorëzimin e vlerës më të dashur në shërbim të së mirës së përhershme. Andaj vakëfi në Islam është një nga format më fisnike të dhurimit bamirës, që pasqyron shpirtin e solidaritetit dhe ndihmës së ndërsjellë në formën më të bukur. Vakëfi përkufizohet si bamirësi dhe vënia e përfitimit të saj në shërbim të një çështjeje të përgjithshme ose private, me qëllim fitimin e shpërblimit të vazhdueshëm prej Allahut të Madhëruar.
Muhamedi a.s. e komentoi këtë parim me hadithin e njohur:
“Kur vdes njeriu, pushojnë të gjitha veprat e tij përveç në tri raste: nëse lë një sadaka (të vazhdueshme) të përhershme, nëse lë një dituri që e përdor dikush tjetër, dhe nëse lë një fëmijë të mirë, i cili bën dua për të.”
Dijetarët islamë, duke u bazuar në këtë hadith, e kanë quajtur “sadakanë rrjedhëse” – sadakatul xharije – formën më të bukur dhe më të dobishme të vakëfit në ruajtjen e fesë dhe të thelbit të saj brez pas brezi. Kështu, lënia e vakëfit është një nga sadakatë më të mëdha të vazhdueshme, mirësia e të cilit vazhdon të rrjedhë edhe pas largimit të njeriut nga kjo jetë.
Këto parime i nxitën shokët e Pejgamberit a.s. që të garonin për të dhuruar vakëfe. Tregohet se edhe vetë Pejgamberi a.s., ka vakëfnuar shtatë kopshtet e hurmave në Medinë. Ky model i dhurimit të vazhdueshëm krijoi një kulturë të veçantë të mirësisë, që përfshinte jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët, shpezët dhe natyrën.
Në shumë qytete islame, përfshirë edhe ato shqiptare, pranë çezmave vakëfnore shpesh vendoseshin edhe enë uji për kafshët – një dëshmi e qartë se koncepti i solidaritetit dhe bamirësisë përfshinte të gjithë krijesat.
Të nderuar të pranishëm,
Vakëfi ndikoi thellësisht në jetën fetare, morale, ekonomike, arsimore dhe urbane të shoqërive islame. Përmes vakëfit u ndërtuan xhami, medrese, biblioteka, ura, rrugë, hane, spitale, mejtepe, si dhe struktura të panumërta shërbimesh publike. Ky ndikim u shtri fuqishëm përgjatë shekujve edhe ndër shqiptarët. Thënë shkurt, nuk ekziston asnjë aspekt i jetës së popujve myslimanë, qoftë aspekt fetar, moral, ekonomik, politik apo social, ku vakëfi të mos ketë pasur ndikim të thellë.
Me pranimin e fesë islame, i cili ndodhi për arsye të ndryshme fetare, kulturore, politike dhe shoqërore nga shumica e popullsisë shqiptare që nga fundi i shekullit XIV, shqiptarët u njohën edhe me institucionin e Vakëfit. Ky institucion u shndërrua në një nga mekanizmat më të rëndësishëm të organizimit dhe zhvillimit shoqëror. Përmes tij u mundësua arsimimi, u ndërtuan institucione kulturore dhe fetare, u ngritën ura dhe rrugë, u krijuan tregje dhae strehimore, si dhe sisteme ujitjeje dhe çezma publike, duke ndikuar ndjeshëm në formësimin e historisë urbane të qendrave shqiptare.
Kësisoj, shqiptarët, të frymëzuar nga tradita islame, lanë vakëfe jo vetëm në vendlindjet e tyre, por edhe në qendra të tjera, që nga Stambolli, Damasku, Kajroja e deri në Mekën e shenjtë dhe në Medinën e ndritur, disa prej të cilave ruhen dhe janë të njohura edhe sot e kësaj dite.
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Duke dashur që të mos zgjatem shumë në pjesën historike, pasi për këtë do të kenë mundësi të flasin studiuesit e nderuar me kumtesat e tyre gjatë kësaj Konference, më lejoni që të them edhe dy fjalë se çfarë në të vërtetë është vakëfi nga pikëpamja juridike islame.
Vakëfi përbën një institucion juridik dhe shoqëror, që i takon së drejtës islame (Sheriatit) dhe më gjerë traditës kulturore të botës islame.
Në thelbin e tij, vakëfi paraqet një akt institucionalizimi të bamirësisë, i cili synon të sigurojë vazhdimësinë e dhurimit, të ndihmës dhe të bamirësisë si shprehje e mëshirës, dhembshurisë dhe dashurisë ndaj krijesave për hir të Krijuesit. Në aspektin praktik, vakëfi nënkupton dhurimin e një pasurie për Allahun xh.sh., çka përfshin heqjen dorë nga pronësia private, me qëllimin që ajo pasuri të përdoret përjetësisht për objektiva fetare, shoqërore ose humanitare.
Si i tillë, vakëfi përfaqëson një nga mënyrat më të larta të shfaqjes së mëshirës dhe humanizmit në Islam.
Qëllimi themelor i themelimit të një vakëfi është fitimi i kënaqësisë së Allahut xh.sh., shpërblimi prej Tij, si dhe arritja e shpëtimit në jetën e përtejme (Ahiret). Ky dimension shpirtëror është përmbledhur shkurtimisht në shprehjen “et tekarrub ilall-llah” – pra, një mënyrë afrimi tek Allahu (mëshira e Tij). Juristët islamë e kanë pranuar këtë parim si një nga kushtet themelore të vlefshmërisë së një vakëfi.
Në traditën juridike islame, dijetarët kanë dhënë përkufizime të ndryshme për vakëfin, të cilat megjithëse dallojnë në formulim, përputhen në thelb. Sipas përkufizimit të përgjithshëm të fikhut, vakëfi është veçimi dhe ndarja e një pasurie nga pronësia e individit për një qëllim të caktuar, në mënyrë që frytet (të ardhurat) e asaj pasurie të përdoren në vazhdimësi për qëllime fetare, shoqërore, arsimore, ekonomike ose bamirëse.
Nga pikëpamja ekonomike, vakëfi duhet të jetë i tillë që esenca e pasurisë të ruhet, ndërsa të ardhurat e saj të shfrytëzohen në mënyrë të vazhdueshme – koncepti i njohur tradicionalisht si sadakatul xharije, pra bamirësi që vazhdon edhe pas jetës së themeluesit.
Me pak fjalë, vakëfi është një akt fetar, juridik dhe shoqëror me funksion afatgjatë, që synon përjetësimin e bamirësisë përmes dhurimit të një pasurie për interes të përgjithshëm. Ai shfaq parimet më të larta morale të Islamit – mëshirën, përkujdesjen dhe solidaritetin, duke i kthyer ato në struktura të qëndrueshme që shërbejnë brez pas brezi.
Të nderuar të pranishëm,
Duke pasur parasysh këtë qëllim dhe të mirat që sjell kjo vepër, shqiptarët, që nga takimi i tyre i parë me fenë islame, u njohën me praktikat e vakëfit dhe gradualisht filluan t’i zbatojnë ato në jetën e përditshme. Kështu, ata mbi baza vakëfi, themeluan një sërë institucionesh fetare, arsimore, kulturore, ekonomike dhe sociale: xhami, medrese, biblioteka, hamame, bezistane (treg i mbuluar – pazar i vjetër), hane, ura, imarete, çezma e të ngjashme.
Të gjitha këto institucione, të financuara nga pasuria e vakëfeve të lëna për këtë qëllim, luajtën një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe Islamit dhe në zhvillimin e kulturës dhe qytetërimit islam në trevat tona.
Vakëfi i parë i dokumentuar ndër shqiptarë është ai i Manastirit, që e vakëfnoi Sungur Çaush Beu, në vitin 1434. Pastaj vakëfi i Is’hak Beut, i themeluar në Shkup në vitin 1444, vakëfi i Suzi Çelebiut në Prizren në vitin 1513, vakëfi Kuklibegut në Prizren në vitin 1538, vakëfi i pesë herë sadriazemit Koxha Sinan Pashës dhe lista vazhdon me vakëfet e personaliteteve dhe familjeve të shquara shqiptare, si Bushatlinjve të Shkodrës, Mahmudbegollëve të Pejës, Kurtpashajve të Gjakovës, Bargjinollëve të Tiranës, Biçakçinëve të Elbasanit, Derallajve të Tetovës, Ngurzajve të Beratit, Alihajdarbegollëve të Kavajës, Rrotllajve të Prizrenit, Gjinollajve të Prishtinës dhe shumë e shumë të tjerëve që është e pamundur të përmenden të gjithë këtu.
Sikundër që është e pamundur të përmenden dhe të renditen edhe të gjitha llojet e vakëfeve të themeluara në trojet shqiptare, si dhe fushat e shërbimit të tyre, sepse ato përfshijnë të gjitha aspektet e jetës fetare, po ashtu edhe kulturore, sociale dhe humanitare.
Për më tepër, roli i vakëfit ka qenë vendimtar në formimin, ndërtimin dhe zhvillimin e shumë lagjeve, kasabave dhe qyteteve shqiptare. Dhe kur jemi këtu, duhet thënë se në historinë e urbanizimit islam në trevat shqiptare, vakëfi ka qenë një faktor themelor, jo vetëm në aspektin fetar e social, por edhe në procesin e vetëformimit të qendrave urbane. Një numër i konsiderueshëm qytetesh shqiptare u krijuan ose morën formë të plotë si kasaba orientale pikërisht përmes themelimit të vakëfeve të mëdha, të cilat nxitën zhvillimin ekonomik, social dhe demografik përreth tyre. Kaçaniku, Gjakova, Korça, Tirana, Kavaja, Elbasani, Peqini, Zinova, Rogova etj., u themeluan plotësisht, ose u organizuan në formën përfundimtare të tyre si kasaba orientale pikërisht mbi bazën e vakëfit.
Prandaj, të rralla janë vendbanimet tona, që të mos ketë të paktën një vakëf ose një hajrat. Në vendbanimet urbane, numri i tyre është edhe më i madh, andaj edhe sot, shumë vendbanime mbajnë ende emra vakëfesh, dëshmi e trashëgimisë së vakëflënësve të dikurshëm.
Megjithatë, numri i vakëfeve të mbetura sot është vetëm një pjesë shumë e vogël e atyre që ekzistonin dikur, sepse një pjesë e konsiderueshme e tyre është shkatërruar përgjithmonë si pasojë e faktorëve natyrorë dhe njerëzorë dhe sidomos në shekullin e kaluar, kur shumë vakëfe u shkatërruan, u konfiskuan, u kolonizuan, u nacionalizuan, ose iu ndryshua destinacioni nga ish-sistemi okupues komunist-ateist në vendin tonë. Duhet të theksojmë se nuk ekziston asnjë institucion fetar që të ketë pësuar kaq shumë goditje dhe shkatërrime sa vakëfi. Kjo ka ndodhur për shkak të sistemeve politike, dhe qëndrimeve të tyre ndaj fesë në përgjithësi dhe ndaj Islamit në veçanti.
Vetëm gjatë luftës së fundit në Kosovë (1998-1999) u shkatërruan, u dogjën, ose u dëmtuan 218 xhami, rreth 40% e xhamive ekzistuese në atë kohë në Kosovë, pa përmendur këtu edhe shkatërrimin e trashëgimisë tjetër islame me vlera të çmuara historike dhe kulturore, biblioteka, arkiva, dorëshkrime etj..
Në Shqipëri, pas vitit 1967, regjimi komunist shkatërroi qindra objekte fetare, përfshirë xhami monumentale. Edhe në Maqedoni u shkatërruan dhjetëra xhami gjatë regjimit komunist dhe luftës së vitit 2001 (ku u shkatërruan 56 xhami të rrënuara).
Në këtë drejtim, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka angazhuar të gjitha forcat e veta për të bërë një rivlerësim të plotë, për të riaktualizuar dhe për të rikthyer rolin e vakëfit në jetën fetare, kulturore dhe shoqërore të vendit.
Organizimi dhe mbajtja e kësaj Konference janë pjesë e kësaj përpjekjeje, duke ofruar një hap konkret për të diskutuar dhe reflektuar mbi rëndësinë e këtij institucioni.
Për ta rikthyer rolin e vakëfit, kemi gjetur mbështetje të vërtetë nga besimtarët dhe popullata jonë. Nuk ka munguar as ndihma dhe gatishmëria edhe e institucioneve tona shtetërore, ndonëse jo gjithmonë e mjaftueshme. Një mbështetje e rëndësishme ka ardhur edhe nga miqtë tanë nga disa shtete kryesisht islame, të cilët nuk kursyen kohën, dijen dhe kontributin e tyre material për ta ndihmuar institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ky bashkëpunim dhe solidaritet, brenda dhe jashtë vendit, tregon qartë se vakëfi nuk është vetëm një institucion historik, por një vlerë, që mund të bashkojë popujt dhe të frymëzojë veprime të mira.
Edhe sot, vakëfi ndihmon në ruajtjen dhe forcimin e traditës së mirësisë dhe përgjegjësisë shoqërore.
Dhe me këtë rast, do të veçoja ndihmën nga disa shtete islame, si: Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe nga të gjitha vendet e tjera, që i qëndruan Kosovës pranë në ditët më të errëta të historisë sonë, në kohën e luftës së fundit, kur shumë vakëfe shekullore u shkatërruan nga kriminelët serbë, vakëfe me vlera të pallogaritshme historike, fetare dhe kulturore.
Andaj, për ndihmën tuaj në ruajtjen, restaurimin dhe ngritjen e vakëfeve të cilat sot qëndrojnë si simbol i qëndresës së popullit tonë dhe i lidhjes së pathyeshme me botën islame, ju falënderojmë nga zemra dhe ju shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe të përhershme. Ngase miqësia juaj e sinqertë dhe ndihma juaj në momentet kur kombi ynë kishte më së shumti nevojë, është dëshmi e solidaritetit që nuk shuhet nga koha.
Prania juaj sot në këtë Konferencë ndërkombëtare, të organizuar me përkushtim nga Instituti për Hulumtime Islame pranë Bashkësisë Islame të Kosovës, është nder i madh për ne. Ajo përfaqëson jo vetëm respektin e ndërsjellë, por edhe konsolidimin e bashkëpunimit tonë të qëndrueshëm në shërbim të vakëfit, si një institucion i shenjtë, i cili ndër shekuj ka luajtur rol thelbësor në zhvillimin shoqëror, kulturor, fetar dhe historik të shqiptarëve.
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Në përmbyllje të kësaj fjale, edhe njëherë konstatoj se, institucioni i Vakëfit ka qenë dhe mbetet faktor kyç në zhvillimin e jetës islame në trojet shqiptare, duke mbështetur shërbime arsimore, sociale dhe publike, dhe duke ruajtur vlerën e tij edhe sot si një shembull i qëndrueshmërisë, solidaritetit shoqëror dhe bamirësisë, që duhet të studiohet, të vlerësohet dhe të rivitalizohet për brezat e ardhshëm.
Në fund të fjalës sime, ju uroj suksese në punimet e kësaj Konference shkencore. Jam i bindur se do të dalim edhe më të begatuar në dije dhe frymëzim shpirtëror, duke forcuar lidhjen tonë me trashëgiminë e vakëfit dhe vlerat që ai përcjell. Prandaj, edhe sot, të bashkuar në këtë tubim të nderuar, shprehim mirënjohjen tonë të thellë dhe zotimin për të forcuar institucionet, për ta mbrojtur trashëgiminë dhe për të ngritur vakëfe që do t’i shërbejnë shoqërisë sonë për brezat e ardhshëm.


Prishtinë, 8 dhjetor 2025
Myftiu i Kosovës,
Naim ef. Tërnava