Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Varfëria prek gati 2 milionë njerëz në Izrael

Varfëria prek gati 2 milionë njerëz në Izrael

Gati dy milionë njerëz në Izrael jetojnë nën kufirin e varfërisë, përfshirë rreth 880 mijë fëmijë, sipas të dhënave zyrtare të publikuara së fundmi të cilat nxjerrin në pah një krizë sociale në thellim mes luftës, rritjes së kostos së jetesës dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike, transmeton Anadolu.

Të dhënat u publikuan në Raportin e Varfërisë 2024 të Izraelit nga Instituti i Sigurimeve Kombëtare, i cili tha se popullsia e vendit tejkalon 10 milionë banorë, me palestinezët që përbëjnë rreth 21 për qind.

“Në Izrael ka afërsisht 2 milionë njerëz të varfër, mes tyre rreth 880 mijë fëmijë, më shumë se një në katër fëmijë në mbarë vendin”, thuhet në raport.

Sipas raportit, varfëria e fëmijëve parashikohet të arrijë në 28 për qind nga 27.6 për qind në vitin 2023 ndërsa gati 1 milion fëmijë po përjetojnë pasiguri ushqimore për shkak të vështirësive ekonomike.

Instituti paralajmëroi se kushtet ekonomike të fëmijëve vazhdojnë të përkeqësohen, të nxitura nga ndikimi i luftës, kostoja vazhdimisht e lartë e jetesës dhe rritja e ngadaltë ekonomike.

Sipas raportit, kufiri i varfërisë për një individ në Izrael është vendosur në 3.547 shekelë (1.145 dollarë) në muaj, bazuar në treguesit e përdorur nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Për një çift, pragu rritet në 7.095 shekelë (2.290 dollarë) ndërsa një familje me pesë anëtarë konsiderohet e varfër nëse të ardhurat e saj bien nën 13.303 shekelë (4.295 dollarë).

Në përgjithësi, normat e varfërisë treguan pak ndryshim krahasuar me vitin 2023, me një rritje të lehtë te individët nga 20.6 për qind në 20.7 për qind, ndërsa norma te familjet shënoi pak rënie nga 20.2 për qind në 20 për qind.

Te qytetarët e moshuar, raporti regjistroi rreth 158 mijë persona që jetojnë në varfëri, një nivel më i lartë se mesatarja e OECD-së.

Izraeli u rendit i dyti ndër vendet e OECD-së për normën e varfërisë së fëmijëve, pas Kosta Rikës, një pozicion që raporti e lidhi me shpenzimet e ulëta publike për mirëqenie sociale, të cilat qëndrojnë në 16.7 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, dukshëm nën mesataren e OECD-së.

Normat më të larta të varfërisë u regjistruan te palestinezët dhe komunitetet hebraike ultra-ortodokse (Haredi). Sipas të dhënave 37.6 për qind e familjeve palestineze dhe 32.8 për qind e familjeve Haredi jetojnë nën kufirin e varfërisë, duke përbërë së bashku 65.1 për qind të popullsisë së varfër të Izraelit.

Raporti publikohet në një kohë kur Izraeli mbetet i përfshirë në konflikte të zgjatura rajonale, përfshirë luftën e vazhdueshme në Gaza dhe operacione ushtarake në disa fronte, zhvillime këto që kanë ushtruar presion shtesë mbi ekonominë dhe strukturën shoqërore të vendit.