Varrezë e improvizuar me çanta shkolle për fëmijët e vdekur në luftëra

Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka improvizuar një varrezë para selisë së OKB-së në New York me 3.758 çanta shkolle për çdo fëmijë të vdekur si pasojë e konflikteve dhe luftërave vitin e kaluar, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së liderëve botërorë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kopshti i selisë së OKB-së, ku liderët botërore do të takohen në javën e fundit të shtatorit në Asamblenë e Përgjithshme, është shndërruar në varrezë të improvizuar me çanta shkolle për tërheqjen e vëmendjes drejt vdekjes së fëmijëve.

Përmes këtij aktiviteti, liderëve botëror iu bë thirrje për mbrojtjen e fëmijëve.

Drejtoresha e UNICEF-i, Henrietta Fore, tha në një deklaratë se çanta e shkollës, e cila çdo herë simbolizon shpresë, kësaj radhe u shndërrua në varr për të tërhequr vëmendjen për fëmijët që vdesin në konflikte dhe luftëra.

Sipas të dhënave të OKB-së, 12 mijë fëmijë vitin e kaluar humbën jetën, u plagosën apo u gjymtuan në zonat e konflikteve dhe luftërave.