Vazhdohen misionet e diplomatëve të afërt me partitë në pushtet, Ministria e Jashtme hesht

Ministrja Meliza Haradinaj ka aplikuar standarde të dyfishta kur ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve të Glauk Konjufcës për kthimin në Prishtinë të rreth 50 diplomatëve.

Ndonëse arsyeja e kthimit ishte qëndrimi i jashtëligjshëm i tyre në misione, Haradinaj ka vendosur që disave t’ua zgjasë qëndrimin e disa t’i kthejë në Ministri. Ata që kanë përfituar kryesisht kanë lidhje me njerëz të partive që tash janë në pushtet.

Mbështetur në listën që ka siguruar KOHA, nga shtatë që kanë përfituar është edhe Rron Kryeziu, djali i ministres së Kulturës, Vlora Dumoshi.

Ndonëse ishte dërguar jashtëligjshëm në Nju Jork, atij i është vazhduar qëndrimi në këtë mision deri në fund të vitit 2020, raporton KOHA.

Deri në korrik të vitit 2022 i është zgjatur mandati në Podgoricë edhe Enver Buqajt, i cili ka shërbyer si këshilltar në kabinetin e ish-zëvendëskryeministrit, Enver Hoxhaj.

Ndërkaq Frymzim Isufaj është propozuar të kthehet nga Uashingtoni dhe për të kanë nisur procedura për akreditim si ambasador në Londër.

Në mesin e tyre ka të tillë të cilët janë futur në shërbim pa konkurs. Ata kanë lidhje me partitë të cilat kanë qenë ose janë në pushtet. Pa konkurs në shërbim kishte hyrë edhe Tefta Kelmendi, vajza e ish-kandidatit të PDK-së për deputet, Migjen Kelmendi.

Ajo nuk është diplomate e karrierës dhe ka qenë e punësuar në misionin diplomatik në Francë si staf lokal administrativ.

Edhe procedura e marrjes së gradës diplomatike ka qenë e parregullt. Edhe pse Ministria ka konstatuar shmangien e konkursit, ligjshmëria e tyre do të analizohet dhe vendimi do të merret deri më 17 korrik të këtij viti.

Me arsyen e njëjtë se kanë hyrë në MPJ pa konkurs, ish-ministri Konjufca ua kishte kërkuar lirimin e pozitave edhe Naser Miftarit, Leonita Harxhit, Lekë Dakës dhe Blerim Kocit.

Janë edhe një sërë vendimesh të reja për kthim, që janë firmosur nga ministrja Haradinaj. Shumicës prej tyre u ka skaduar mandati pasi është krijuar Qeveria Hoti.

Meliza Haradinaj ka vendosur t’i ridërgojë në Presidencë propozimet për tërheqjen e disa shefave të misioneve, sikurse është ai për shefen e konsullatës në Frankfurt, Fatmire Musliu. Propozimi është dërguar më 13 korrik. Por para katër muajsh ishte dërguar propozimi nga ish-ministri Konjufca për kthim në Prishtinë, e Thaçi kishte refuzuar ta dekretojë kthimin. Musliu kishte nisur mandatin e tretë jashtë vendit, pas bërë asnjë ditë pune në MPJ.

Në mesin e atyre që do të kthehen është Ajmane Veseli, kunata e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Aty është edhe Petrit Hajdari, ish-kandidat i PDK-së për deputet në zgjedhjet e fundit, si dhe vajza e ish-ministrit Bujar Bukoshi- Shota Bukoshi.

Në lidhje me procesin, gazeta ka provuar të marrë qëndrim nga Ministria e Jashtme, por ky institucion ka vazhduar të mos përgjigjet.

Përfaqësues të opozitës, të cilët kanë qenë pjesë e MPJ-së mandatin e shkuar i kanë kualifikuar edhe për favore partiake, vendimet e ministres Haradinaj.

Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike thotë se ky dikaster vazhdon të ketë shkallë të lartë politizimi.

KOHA, gjithashtu, ka raportuar se brenda dy ditësh si i punësuar në MPJ, Shkëlzen Morina, është avancuar në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit.