Vazhdojnë sulmet e zjarrvënies në Suedi, digjen ndërtesa, makina e piceri

Disa ndërtesave, duke përfshirë një piceri e një garazh, si edhe 7 makinave u është vënë zjarri gjatë natës në Suedinë jugore. Ndërsa policia ende nuk ka gjetur zgjidhjen për të frenuar valën e vazhdueshme të sulmeve të zjarrvënies.

Shërbimet e zjarrfikëses morën telefonata duke thënë se një shtëpi po digjej në një zonë banimi në komunën Kristianstad pak para mesnatës së të mërkurës.

Policia tha se një zjarr përfshiu një piceri dhe u përhap shpejt nëpër ndërtesë.

Zjarrfikësit luftuan me flakët për disa orë, por nuk mundën ta shpëtonin ndërtesën, e cila ishte “e shkatërruar plotësisht”.

Një garazhi dhe disa ndërtesave të tjera iu vendos zjarri gjatë natës, duke krijuar rrezikun që flakët të përhapeshin në shtëpitë afër, por zjarrfikësit arritën të lokalizonin flakët.

Më vonë gjatë natës, zbatuesit e ligjit duhej t’u përgjigjeshin raporteve se disa makinave iu ishte vënë zjarri në vende të ndryshme në qendër të Kristianstad.

Shtatë makinave në vende të ndryshme u vu zjarri, ku dy prej tyre u dogjën plotësisht, tha policia.

Nuk pati viktima apo të lënduar nga incidentet në Kristianstad.

Bandat e të rinjve janë fajësuar për organizimin e sulmeve të shumëfishta ndaj makinave në Suedi gjatë viteve të fundit.

Ka pasur 1.835 incidente të tilla në mes të janarit dhe korrikut të këtij viti, sipas të dhënave nga Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Krimit.

Policia paralajmëroi se tendenca e zjarrvënies mund të përkeqësohet pas fillimit të shkollës në fund të gushtit. Të hënën, më shumë se 100 makina u dogjën në qytetet suedeze të Gothenburgut, Stokholmit dhe vende të tjera në atë që besohet të ishte sulm i koordinuar.

Vandalizmi, përdhunimi, vrasja dhe krime të tjera kanë përfshirë vendin gjatë viteve të fundit dhe kjo për shkak të krizës së emigrantëve në Evropë në vitin 2015./oranews