Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit. Seanca do të fillojë në orën 09:30 dhe do të vijohet me dëshmitarin e dytë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i koduar si dëshmitari 08.
Ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe të tjerëve kanë përfunduar gjatë ditës së djeshme kundërpyetjet për dëshmitarin, i cili u bë e ditur se është pjesë e stafit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Dëshmia e tij ka nisur të premten, në ditën edhe kur ka nisur gjyqi, dhe ka përfunduar dje.
Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, të cilët akuzohen për pengim të drejtësisë, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Prokuroria pretendon se posedon dëshmi, përfshirë audio-incizime nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.
Edhe avokatët mbrojtës kanë kundërshtuar këto pretendime, ku kanë thënë se provat e Prokurorisë nuk dëshmojnë kryerjen e veprave penale për çka akuzohen.
Hashim Thaçi dhe të tjerët akuzohen nën pretendimet se gjatë vizitave më 2023 në Hagë, të njëjtit i kanë dhënë udhëzime dhe informacione konfidenciale dëshmitarëve për gjyqin për krime lufte.
Ish-presidenti, Hashim Thaçi akuzohet edhe për krime të pretenduara të luftës, bashkë me Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.
Fjalët përfundimtare për këtë rast janë thënë gjatë muajit shkurt.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin nga katërshen e UÇK-së. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, ku edhe mbrojtja ka thënë se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet e ZPS-së.
Tashmë çështja i ka kaluar trupit gjykues, i cili ka tre muaj kohë për të marrë vendimin final dhe nëse ka nevojë do të kërkojë edhe kohë shtesë. Kjo pritet të ndodhë për shkak të dosjes voluminoze.
Deklarimet përmbyllëse kanë nisur me datën 9 shkurt dhe kanë përfunduar me 18 shkurt.
Gjykimi ndaj katërshes së UÇK-së ka nisur më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.







