Vdekja e 26 vjeçarit, rasti Pacolli e lirimet nga karantina – Thaçi kërkon përgjegjësi nga Kurti, Sveçla e Vitia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kurti, Sveçla dhe Vitia duhet të mbajnë përgjegjësi për rastin Pacolli dhe kthimin e tij në Kosovë, vdekjen e të riut në karantinën tek Qendra e Studentëve si dhe  për lirimin nga karantina të personave që kanë lidhje partiake.

Thaçi në një konferencë për media,  ka thënë se “Grupi i Kurtit” duhet të përgjigjet për këto çështje, dhe se sipas tij sa më shpejtë të bëhet kjo, do të jetë aq më mirë, shkruan lajmi.net.

“Grupi i Kurtit, Sveçlës dhe Vitisë duhet të sqarojë pse ka devijuar zoti Pacolli në drejtim të Tiranës. Ky grup duhet të jap përgjegjësi edhe për shtytjen në vetëvrajse të të riut në Prishtinë, si dhe seleksionimit partiak se kush karantinohet e kush jo. Ata duhet të përgjigjen, dhe sa më shpejtë do të jetë aq më mirë. Unë respektoj këshillat e IKSHP-së dhe jo vendimet antikushtetuese të grupit të Kurtit dhe të tjerëve”, është shprehur presidenti.

Thaçi në këtë konferencë ka folur edhe për paralajmërimet e VV-së se në rast se Kushtetuesja nuk merr vendim në të mirë të tyre, ata nuk do ta respektojnë atë. Presidenti në lidhje me këtë çështje tha se askush s’ka të drejtë t’i mbajë të uzurpuara institucionet e shtetit të Kosovës.