
Rifaat al Assad, vëllai i ish-presidentit sirian Hafez al Assad dhe një nga figurat më të frikshme të regjimit sirian, ka vdekur të martën në moshën 88-vjeçare. Burime pranë familjes kanë bërë të ditur se ai ka ndërruar jetë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Rifaat al Assad njihej nga kritikët si “kasapi i Hamës” për rolin e tij në shtypjen brutale të kryengritjes në qytetin Hama në vitin 1982. Ai ishte oficer i ushtrisë dhe një nga figurat kyçe që ndihmoi Hafez al Assad të merrte pushtetin me grusht shteti në vitin 1970.
Pas masakrës së Hamës, ku sipas vlerësimeve u vranë dhjetëra mijëra civilë, Rifaat u bë një figurë shumë e fuqishme brenda regjimit. Në vitin 1984 u emërua zëvendëspresident, por marrëdhëniet me vëllanë e tij u përkeqësuan dhe përfunduan me një përplasje për pushtet. Pas dështimit të kësaj sfide, Rifaat u detyrua të largohej nga Siria dhe jetoi për vite me radhë në mërgim, kryesisht në Francë.
Gjatë qëndrimit në Evropë, ai u përball me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Në vitin 2020, një gjykatë franceze e dënoi me katër vjet burg për përvetësim pasurie të shtetit sirian, duke urdhëruar sekuestrimin e pronave të tij me vlerë mbi 100 milionë euro. Rifaat i mohoi akuzat.
Ai u kthye në Siri në vitin 2021, pas lejes së dhënë nga nipi i tij, ish-presidenti Bashar al Assad, por u largua sërish në vitin 2024 pas rrëzimit të këtij të fundit nga pushteti.
Masakra e Hamës mbetet një nga krimet më të rënda në historinë moderne të Sirisë. Sipas organizatave për të drejtat e njeriut, numri i viktimave varion nga 10 mijë deri në mbi 40 mijë civilë. Në mars 2024, autoritetet zvicerane njoftuan se do ta nxirrnin Rifaat al Assad përpara gjyqit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, por procesi nuk u zhvillua për shkak të vdekjes së tij. /mesazhi







