Vëllazëria Muslimane në Egjipt edhe një herë futet në listën e organizatave terroriste

Gjykata egjiptiane ka vendosur Organizatën e Vëllazërisë Muslimane (Ihvan) dhe 21 persona opozitarë në “Listën e Subjekteve Terroriste” për një kohëzgjatje prej 5 vitesh, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin lokal egjiptian, vendimi në fjalë u publikua të hënën në “Vakai el-Misriyye” e cila njihet si gazeta zyrtare e vendit.

Në gazetë thuhet se vendimi është marrë të enjten e kaluar nga Gjykata Penale e Kajros dhe se do të jetë i vlefshëm që nga data e daljes së vendimit.

Në pikën e parë të vendimit në listën e subjekteve terroriste është shtuar Ihvan-i, ndërsa në listë janë shtuar edhe 21 emra opozitarë.

Në mesin e emrave opozitarë që gjenden në listë janë kryetari i Partisë Egjipti i Fuqishëm, Abdulmunim Ebul Futuh, i cili gjendet në burg, mbrojtësi i të drejtave të njeriut, Ala Abdufettah, Muhammed al-Bakir dhe shumë të tjerë.

Theksohet se vendimi është i vlefshëm 5 vite nga data kur është marrë. Gjithashtu sipas ligjeve të Egjiptit vendimi mund të apelohet.

Nga pala e Ihvan-it nuk është dhënë ndonjë deklaratë në lidhje me çështjen. Ihvan edhe më parë nga gjykatat egjiptiane ishte shtuar në listën e terroristëve, ndërsa përpjekjet e komitetit të mbrojtjes të Ihvan gjatë procesit të apelimit ishin pa rezultat dhe vendimi ishte miratuar nga gjykatat përkatëse.

Organizata e Vëllazërisë Muslimane u themelua nga Hassan al-Banna në mars të vitit 1928 në qytetin Ismailia në lindje të Egjiptit, si një shoqatë civile.

Gjatë historisë organizata është ndëshkuar shumë herë, ndërsa është shpallur “organizatë terroriste” në Egjipt pasi presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit, Mohammed Morsi, është larguar nga detyra në vitin 2013 me një grusht shteti ushtarak.

Edhe Arabia Saudite në mars të vitit 2014 kishte shpallur organizatë terroriste Ihvan-in.

Ndryshe, në një deklaratë më 10 nëntor, këshilli saudit i Dijetarëve të Lartë, u shpreh se “Vëllazëria Muslimane është grup i dhunshëm terrorist që nuk përfaqëson Islamin, është lajthitur, kundërshton drejtuesit dhe shkakton grindje”.