Vende të rajonit kanë shprehur solidaritet me Kanadanë pas të shtënave tragjike në një shkollë në provincën Kolumbia Britanike në Kanada, ku humbën jetën dhjetë persona dhe u plagosën disa të tjerë, transmeton Anadolu.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, në një deklaratë në rrjetin social amerikan X, deklaroi se është “thellësisht e pikëlluar” nga ngjarja tragjike në Tumbler Ridge, duke theksuar se shkolla duhet të jetë vend mësimi dhe sigurie.
“Solidarizohemi me familjet e prekura, nxënësit dhe stafin e shkollës. Ngushëllime për të dashurit e tyre që janë në zi dhe u urojmë forcë dhe shërim të plotë të plagosurve”, tha Siljanovska Davkova.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës dënoi aktin e dhunës, duke e cilësuar si një “veprim të pakuptimtë që trondit jo vetëm komunitetin lokal, por mbarë vendin”.
Në reagim thuhet se Bosnjë dhe Hercegovina qëndron në solidaritet me popullin kanadez në këto momente zie.
“Mendimet dhe lutjet tona të përzemërta janë me familjet dhe miqtë që kanë humbur të dashurit e tyre, si dhe me të gjithë ata, jeta e të cilëve është ndryshuar përgjithmonë nga kjo tragjedi”, tha ministria.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, reagoi duke thënë se e ka tronditur thellë lajmi për tragjedinë në shkollën në Kanada. “Serbia e kupton dhe e ndan dhimbjen tuaj. Çdo akt i tillë i çmendurisë na kujton se duhet të përqendrojmë të gjitha forcat drejt mbrojtjes dhe sigurisë së të rinjve në këto kohë të vështira”, tha Vuçiq.
Ai shprehu ngushëllime për qytetarët e Kanadasë dhe familjet e viktimave, ndërsa të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.
Presidentja e Sllovenisë, Natasa Pirc Musar, deklaroi se në momente kur dhuna merr jetë të pafajshme, fjalët bëhen të vështira, duke shtuar se mendimet e Sllovenisë janë me familjet e viktimave në Kanada.
“Sot, dhembshuria, solidariteti dhe humanizmi janë më të rëndësishme se kurrë”, tha ajo.




