Vendet e Gjirit Arab janë të shqetësuara për operacionin tokësor në Gaza

Disa vende të Gjirit paralajmëruan sot Izraelin kundër një operacioni të ri tokësor në Rripin e Gazës.

Emiratet e Bashkuara Arabe, vendi i parë i Gjirit që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin, dënoi operacionin tokësor dhe shprehu “shqetësim të thellë” për përshkallëzimin dhe “përkeqësimin e krizës humanitare që kërcënon të marrë më shumë jetë civilësh”, njoftoi agjencia e lajmeve WAM.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite, theksohet se “shkelja flagrante dhe e pajustifikuar e së drejtës ndërkombëtare do të ketë pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit”. Mbretëria i bëri thirrje gjithashtu komunitetit ndërkombëtar që të “marr përgjegjësitë e veta” për t’i dhënë fund operacionit ushtarak dhe për të lejuar agjencitë e ndihmës të ofrojnë ndihmë për civilët.

Më herët, ministri i Jashtëm saudit Faisal bin Farhan kontaktoi homologët e tij jordanezë, marokenë dhe egjiptianë dhe ranë dakord për nevojën për të ndaluar përshkallëzimin ushtarak në Gaza.

Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdelrahman Al Thani, tha në një postim në Platformën X se “përshkallëzimi në terren do të ketë pasoja të rënda për civilët dhe ndikime shkatërruese humanitare dhe ekonomike “.

Omani, nga ana e tij, akuzoi Izraelin për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” në Gaza. Në njoftimin e saj, Ministria e Jashtme përmendi edhe rrezikun e destabilizimit të rajonit më të gjerë për shkak të operacionit tokësor në Gaza.

Për Kuvajtin, çdo pushtim tokësor i Gazës do të provonte se Izraeli është i vendosur të vazhdojë të kryejë krime kundër popullit vëlla palestinez”.

Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit e dënoi përshkallëzimin si një “shkelje të ligjit ndërkombëtar” dhe bëri thirrje për një fund të menjëhershëm të armiqësive.