Veriu mbetet i barrikaduar edhe të hënën

Edhe të hënën po vazhdojnë të qëndrojnë barrikadat në veri të Mitrovicës, të vendosura nga serbët lokalë pas arrestimit të ish-policit, Dejan Pantiq.

Ditët e fundit janë përcjellë me incidente në këtë pjesë, derisa në disa raste ka pasur edhe shpërthime me shok-bomba. Ndërsa, në veri është parë edhe simboli “Z”, i agresionit rus në Ukrainë.

Përkundër thirrjes së ambasadave amerikane dhe britanike në Kosovë e Serbi për heqje të barrikadave, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media të dielën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, kanë deklaruar se po presin nga KFOR-i heqjen e barrikadave. Kurti ka thënë se Serbia po synon rikthimin e luftës në Kosovë.

Në anën tjetër edhe në Serbi është mbajtur një mbledhje Këshillit të Sigurisë, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se presin lirimin e ish-policit Pantiq, duke shtuar se serbët në Kosovë po i pret një periudhë e vështirë.