Veseli: Akuzat janë të pabazuara, historia e Kosovës dhe e UÇK-së nuk mund të rishkruhen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli i ka quajtur politike dhe të pabazuara pretendimet e prokurorit për kinse krime dhe pengim të punës së gjykatës.

Lideri i PDK-së tha se në një veprim të paprecedentë, Prokurori ka lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.

“Në këtë deklaratë, Prokurori përpiqet ta arsyetojë vendimin e tij të padrejtë dhe të pazakonshëm, duke pretenduar se unë dhe Presidenti kemi tentuar të pengojmë punën e Dhomave të Specializuara. Dyshimet e ngritura janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë”, tha Veseli.

“Një tjetër shqetësim është dyshimi i bazuar se motivet e vërteta të këtij Prokurori janë krejtësisht politike. Duke pasur parasysh kohën dhe rrethanat, pak ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë, me të drejtë janë ngritur dyshime se kjo është rastësi”, tha Veseli.