Veseli deklarohet i pafajshëm për akuzat e reja

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është deklaruar i pafajshëm të martën në seancën e radhës të Gjykatës Speciale, lidhur me akuzat e reja për krime në Budakovë dhe Semetishtë të Suharkës, dhe në Gjilan.

Pasi gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka paraqitur aktakuzën e re, e ka pyetur Veselin nëse e ka marrë atë të ndryshuar, i cili ka thënë se e ka pranuar atë.

Ndërkohë, pas kësaj, sekretarja e gjykatës, i ka lexuar akuzat e reja, të cilat përfshijnë krime të mundshme në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës në periudhat midis 4 korrik 1998 dhe shtatorit të vitit 1998 dhe më 28-29 prill 1999, dhe në Gjilan në korrik të vitit 1999.

Pas leximit të akuzave, Veseli është pyetur nëse i ka kuptuar ato, ndërkaq Veseli është përgjigjur duke thënë se dëshiron që sa më shpejtë të nis gjyqi ndaj tij, në mënyrë që të shpreh pafajësinë para qytetarëve të Kosovës, ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe gjyqit.

“I kam lexuar, vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të fillojë sa më shpejtë dhe të kem të drejtën të shpreh pozitën dhe pafajësinë time para qytetarëve të Kosovës, luftëtarëve të UÇK-së dhe këtij gjyqi të nderuar”, është shprehur Veseli.

Ndërkohë, pas kësaj, Guillou ka kërkuar nga Veseli që të deklarohet për këto akuza nëse do.

Veseli ka thënë se është i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm”, ka qenë i shkurtër Veseli