Veseli nuk i respekton vërejtjet e Brukselit, jep afat për liberalizimin e vizave

Liberalizimi i vizave do të ndodh në fund të këtij viti, pasi që Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret të cilat janë dashur për të lëvizur lirshëm, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Kjo deklaratë e Veselit është në kundërshtim me atë të nënkryetarit të Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, i cili tha sot se politikanët kosovarë nuk duhet të japin data për liberalizimin e vizave, pasi që kjo nuk varet nga ata.

“Ajo që i duhet më së shumti Kosovës është që rinia si ju të qëndroj dhe të jetojë në Kosovë dhe jo të mendoj që ta gjejë mënyrën e jetesës jashtë vendit. Kjo fuqi e cila është aktualisht e resurseve tona humane duke arritur ta mbrojmë e ta ruajmë këtu në Kosovë ne mund ta zhvillojmë pikërisht në temën për të cilën jemi duke folur iniciativa e tregut të lirë, e cila nuk ka alternativë tjetër. Kjo për arsye se Kosova si shtet demokratik, si shtet liberal ka vetëm iniciativën private si shtysën më të madhe të lirisë dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha Veseli.

Sipas Veselit Kosova ka nevojë për reforma të mëdha ekonomike, ndërsa në të njëjtën kohë ai tha se janë duke i bërë ato.