Ballina Artikuj Vetëkënaqësia

Vetëkënaqësia

Vetëkënaqësia apo mahnitja me veten është një lëngatë prej së cilës vuajnë disa aktivistë të veprimtarisë islame. Aktivistët e sprovuar me këtë lëngatë duhet të përpiqen fort me veten e tyre, që të kurohen, të shpëtojnë dhe të ruhen prej saj. Në mënyrë që trajtimi i kësaj teme të jetë sa më i qartë dhe gjithëpërfshirës, do ta trajtojmë atë si në vijim.

I – Kuptimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës “El-I`xhâbu bi`n-Nefs- Vetëkënaqësi”

a) Kuptimi gjuhësor i fjalës “El-I`xhâbu bi`n-Nefs – Vetëkënaqësi”:

Në gjuhën arabe, me fjalët “الإعجاب بالنفس – El-I`xhâbu bi`n-Nefs” shprehen dy gjëra kryesore:

1 -Ngazëllimi, vetëkënaqësia dhe parapëlqimi. Me këtë kuptim është përmendur kjo fjalë në Kuran: “Skllavja besimtare është më e mirë se paganja, edhe nëse kjo e fundit mund t`ju pëlqejë.”; “Thuaju: “Nuk barazohet e keqja me të mirën, edhe sikur të të mahnisë (ngazëllejë) bollëku i së keqes”; “Ajo i shëmbëllen bimës, e cila pas shiut rritet dhe i ngazëllen bujqit, por më vonë zverdhet, thahet dhe mbetet pa vlerë”

2 -Mburrja, mahnitja dhe kryelartësia. Me këtë kuptim përmendet kjo fjalë në Kuran: “Si dhe në ditën e (luftës së) Hunejnit, kur juve ju mahniti numri juaj i madh. Por ai numër nuk ju solli dobi aspak”

b) – Kuptimi terminologjik i fjalës “Vetëkënaqësi”

Në kontekst të temës që po trajtohet, me termin “Vetëkënaqësi” apo “Vetëpëlqim” nënkuptohet: “Ngazëllimi dhe lumturia me veten për shkak të fjalëve dhe veprave që bën, por pa cenuar e fyer njerëzit, si dhe pa marrë parasysh nëse këto fjalë dhe vepra janë të mira apo të këqija, të lavdëruara apo të pështira”.

Nëse vetëkënaqësia apo mahnitja me veten shoqërohet me cenim dhe fyerje të njerëzve, duke përçmuar dhe zhvlerësuar veprat dhe fjalët e tyre, atëherë kjo konsiderohet arrogancë apo vetëmashtrim. Nëse vetëpëlqimi shoqërohet me cenim dhe fyerje të njerëzve, duke përçmuar dhe përdhosur personalitetin dhe dinjitetin e tyre, atëherë kjo konsiderohet mendjemadhësi, apo arrogancë.

II – Gjykimi sheriatik për vetëkënaqësinë

Vetëpëlqimi apo mahnitja pas vetes është një nga mëkatet e mëdha. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata e quajnë si favor për ty që kanë pranuar Islamin. Thuaju: “Mos e quani si favor për mua se keni pranuar Islamin; përkundrazi, Allahu ju ka dhuruar mirësi dhe ju ka udhëzuar në besim, nëse ajo që thoni është e vërtetë”

Imam Neveviu thotë: “Sëmundja që prek sinqeritetin është vetëpëlqimi, kush mashtrohet nga vetëpëlqimi atëherë puna e tij do të bëhet hi, gjithashtu kush tregohet mendjmadh, puna e tij do të bëhet hi ”Allahu i Madhëruar thotë: “O besimtarë! Mos i çoni dëm lëmoshat tuaja duke ua kujtuar ato (atyre që ua keni dhënë) dhe duke fyer”.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Përsa i përket gjërave që shkatërrojnë njeriun ato janë: Lakmia, rendja pas epshit dhe vetëpëlqimi”; “Ai që pendohet pret mëshirën, ndërsa atij që i pëlqen vetja pret mallkimin”; “Nëse ju nuk bëni mëkate, do të më frikësonte ajo që është më e keqe se mëkatet: vetëpëlqimi”

III – Simptomat e vetëkënaqësisë

Lavdërimi i vetes

Simptoma e parë e vetëpëlqimit a vetëkënaqësisë është lavdërimi i vazhdueshëm i vetes, duke u hequr si i dëlirë dhe i pafajshëm, duke i dhënë vetes pozitë dhe vlerë të pamerituar. Një person i tillë harron, ose bën sikur harron fjalën e Allahut të Madhëruar: “Prandaj, mos u lavdëroni me pafajësinë tuaj! Ai i njeh më së miri ata që ruhen nga gjynahet”

Mospranimi i këshillës

Simptoma e dytë e vetëpëlqimit apo mahnitjes me veten është mospranimi i këshillës, madje largimi prej atyre që e këshillojnë, duke harruar kështu se nuk ka mirësi tek ata njerëz, të cilët nuk këshillohen mes tyre dhe nuk e pranojnë këshillën.

Ngazëllimi me të metat e të tjerëve

Simptoma e tretë e vetëpëlqimit është ngazëllimi i personit, kur dëgjon për të metat e të tjerëve, sidomos të shokëve të tij. Fudajl ibn Ijadi (r.h) ka thënë: “Një nga shenjat e hipokritit është se ngazëllehet kur dëgjon ndonjë të metë për shokët e tij”.

IV – Shkaqet e vetëkënaqësisë

Rritja në një ambient ku mbizotëron mahnitja me veten

Shkaku i parë që çon në këtë lëngatë, është jetesa qysh në vegjëli në një ambient, ku mbizotëron vetëpëlqimi. Në një ambient të tillë fëmija konstaton se njëri nga prindërit, apo edhe të dy, kanë dëshirë të lavdërohen, përpiqen ta nxjerrin veten e tyre gjithmonë të pafajshëm, pa marrë parasysh nëse kanë të drejtë, apo janë gabim, nëse fjala e tyre është e vërtetë apo e pavërtetë, kanë vështirësi për të pranuar këshillën dhe orientimin, si dhe shumë manifestime të tjera të fenomentit të vetëpëlqimit.

Duke jetuar vazhdimisht me ta, fëmija ndikohet nga sjellja e prindërve. Për rrjedhojë, vetëpëlqimi bëhet pjesë e pandashme e personalitetit të tij. Nga kjo grackë shpëton vetëm ai, të cilin e mëshiron Allahu i Madhëruar! Nga këtu kuptohet sekreti, se përse kërkohet nga prindërit, që të zbatojnë fenë e Allahut në çdo aspekt të jetës së tyre, siç e kemi sqaruar këtë në trajtimin e lëngatës së dytë: “Shpërdorimi”.

Feja e Allahut është e vetmja, që i mbron prindërit nga çdo lloj devijimi, pasi kështu ata bëhen model i mirë për fëmijët e tyre.

Lavdërimi dhe mburrja e fëmijës

Lavdërimi i fëmijës në prezencë të tij, si dhe mburrja me veprimet e tij – pa u kushtuar rëndësi etikave sheriatike që kanë të bëjnë me lavdërimin – është një shkaqet kryesore të mahnitjes me veten. Kur disa njerëz lavdërojnë veten në sy të të tjerëve, apo të tjerët i mburrin para të gjithëve – pa respektuar etikën sheriatike të përcaktuar për lavdërimin në publik -, ata ndikohen nga ky lavdërim dhe ngazëllehen, duke harruar grackat që ngre shejtani në raste të tilla.

Njerëz të tillë mendojnë, se të tjerët i kanë lavdëruar, pasi mbartin dhunti dhe veçori që nuk i kanë të tjerët. Ky mendim vazhdon t`i ndjekë ata si hije dhe të rrënjoset thellë në shpirtin e tyre, gjë që çon – na ruajtë Allahu – në mahnitjen pas vetes. Kjo na bën të kuptojmë më mirë sekretin, se përse i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) na ka ndaluar, që t`i lavdërojmë dhe t`i mburrim të tjerët në publik. Po ashtu kuptojmë, se është e domosdoshme të ruhet etika sheriatike përsa i përket lavdërimit.(316)

Abdurrahman ibn Ebi Bekreh tregon, se babai i tij ka thënë: “Një burrë lavdëroi një tjetër në prezencë të të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të), i cili i tha: “Mjerë për ty! Ja preve qafën shokut tënd! Ja preve qafën shokut tënd”. Këtë fjalë e tha disa herë. Më pas ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Kur e keni të domodosdoshme të lavdëroni ndonjërin prej jush, thoni: “Unë mendoj se filani është kështu, por Allahu do ta marrë në llogari se si është në të vërtetë, unë nuk dëlirësoj askënd para Allahut”.

Shoqërimi me njerëz që mahniten me veten

Një nga shkaqet e vetëpëlqimit është shoqërimi dhe qëndrimi me individë, të cilët vuajnë nga vetëpëlqimi. Dihet se njeriu ndikohet jashtë mase nga personi me të cilin qëndron, sidomos kur ky person ka karakter të fortë, ka përvojë dhe eksperiencë jete. Nëse ai që e shoqëron është i shkujdesur dhe nuk e njeh mirë natyrën e shokut, do të ndikohet nga çdo gjë që thotë dhe që bën shoku i tij. Nëse shoku i tij është i prekur nga lëngata e vetëpëlqimit, nuk ka dyshim se shumë shpejt do të preket edhe ai vetë. Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami nxit në domosdoshmërinë e përzgjedhjes së shokut të mirë. Në lidhje me këtë, kemi përmendur disa tekste sheriatike gjatë trajtimit të lëngatës “Plogështia”.

Rendja pas begative duke harruar Mirëbërësin

Një shkak tjetër që çon në vetëpëlqim, është të mësuarit me begati dhe mirësi dhe rendja pas tyre, duke harruar kështu Atë, i Cili ka dhuruar të gjitha begatitë dhe mirësitë. Kur Allahu u dhuron disa aktivistëve muslimanë mirësi dhe begati si: pasuri, dituri, forcë, pozitë etj, ata i përkushtohen këtyre mirësive, duke harruar Atë, i Cili ua ka dhënë të gjitha këto begati. Duke qenë nën efektin e këtyre mirësive dhe nën pushtetin e tyre, një individi të tillë i thotë mendja, se këto mirësi i zotëron për shkak të aftësive, dhuntive dhe kapaciteteve të tij, njësoj siç u shpreh edhe Karuni: “Kjo (pasuri) më është dhënë vetëm prej diturisë sime”.Këto mendime vazhdojnë t`i nguliten edhe më shumë njeriut, aq sa mendon se ka arritur kulmin (e çdo gjëje), prandaj gëzohet dhe ngazëllehet me veprimet që bën edhe nëse ato janë të gabuara apo të kota. Pikërisht ky është vetëpëlqimi apo mahnitja me veten.

Ky mund të jetë sekreti, se përse Islami e ka theksuar me forcë, se burimi i të mirës – i çdo lloj mirësie – është vetëm Allahu dhe askush tjetër. Allahu i Madhëruar thotë:

“Çdo mirësi që keni, është nga Allahu”

“Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falenderues”

“A nuk shihni, se si Allahu jua ka bërë të mundur t`i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme”?

“O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka”?

Jo vetëm kaq, por muslimani i përgjërohet Zotit të tij për çdo mëngjes dhe mbrëmje, duke thënë tre herë: “All-llâhum-me mâ asbaha (emsâ) bî, min niametin ue bi ehadim-min khalkik, feminkeuahdeke lâ sherîke lek, felekelhamdu ue lekesh-shukr – Zoti im! Ajo që më është dhënë mua apo ndonjërës prej krijesave të Tua në mëngjes (mbrëmje) nga begatitë, është vetëm prej Teje. Me të vërtetë Ti nuk ke asnjë ortak! Ty të qoftë lavdërimi dhe falënderimi”

Aktivizimi me punë i të pakualifikuarve

Një shkak tjetër që çon në vetëpëlqim apo mahnitje me veten, është aktivizimi i muslimanit në veprimtarinë islame, para se konsolidohet personaliteti i tij, para se të marrë edukimin e duhur dhe pa qenë i kualifikuar. Mund të ndodhë, që rrethanat e punës islame të detyrojnë një aktivizim të tillë të parakohshëm. Në këtë rast, shejtani ua mbush mendjen atyre se i kanë aktivizuar me punë dhe i kanë vendosur në këto pozicione, për shkak se kanë kualifikimin e duhur, se zotërojnë dhunti dhe kapacitete të mëdha. Shejtani vazhdon t`i ushqejë me këto mendime – për shkak se këta aktivistë nuk i dinë kurthet dhe grackat e tij -, aq sa i mendojnë si të vërteta, duke i dhënë kështu vetes privilegje që nuk u takojnë, mirëpo kjo gjë i çon ata në vetëpëlqim dhe mahnitje me veten. Allahu na ruajt!

Ky mund të jetë edhe sekreti, se përse Islami i ka kushtuar rëndësi kuptimit dhe edukimit, madje i ka dhënë rëndësi kuptimit të gjërave para aktivizimit me punë apo pranimit të posteve drejtuese. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk është mirë, që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, mbasi të kthehet nga lufta, që t`i frikësohet Allahut”; “Ai ia jep urtësinë (të kuptuarit) kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur”.

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që Allahu ia do të mirën, ia mundëson ta kupotjë mirë fenë (e bën të ditur në fe)”. Umer ibn Khatabi (r.a) ka thënë: “Mësojini mirë gjërat, para se të merrni poste drejtuese”. Kjo fjalë nënkupton: “Mësoni diturinë, para se të jeni udhëheqës, apo njerëz me përgjegjësi, në mënyrë që t`i njihni lëngatat që rrezikojnë të prekin prijësit dhe të ruheni prej tyre.

Shkujdesja dhe mosnjohja e realitetit të vetes

Një shkak tjetër që çon në vetëpëlqim, është shkujdesja e njeriut ndaj vetes së tij, apo mosnjohja e duhur e realitetit të vetes. Kur njeriu tregohet i shkujdesur, nuk e njeh natyrën e vetes së tij dhe realitetin e saj. Ai duhet ta dijë, se është krijuar nga një ujë i pavlerë, se ka dalë nga vendi ku del urina, se mangësia është natyrë dhe tipar i tij, se fundi i tij do të jetë dheu, do të bëhet një kufomë që do të dekompozohet, nga kundërmimi i të cilit ikin me të katra të gjitha krijesat. Pra, kur njeriu i harron apo tregohet i shkujdesur ndaj këtyre fakteve, mendon se është dikushi dhe shejtani ia ushqen aq shumë këtë ide, saqë njeriu mahnitet me veten e vet.

Ndoshta ky është sekreti, se përse Kurani dhe Suneti e përmendin pareshtur realitetin e qenies njerëzore, nga krijimi dhe deri sa të shkojë në varr. Allahu i Madhëruar thotë: “I Cili ka përsosur çdo gjë që ka krijuar. Ai e ka filluar krijimin e njeriut prej baltës. Pastaj bëri që pasardhësit e tij të krijohen prej një pike të lëngut të shpërfillur” “A nuk ju kemi krijuar nga një pikë lëngu e shpërfillur” “E pastaj e vdes dhe i cakton një varr”.

Origjina fisnike

Mund të ndodhë që origjina apo prejardhja e fisme e dikujt, të bëhet shkak për vetëpëlqim. Disa aktivistë muslimanë vijnë nga një derë e njohur, apo kanë prejardhje të fisshme, gjë që i bën të ndjehen superiorë ndaj të tjerëve, duke harruar apo duke bërë sikur harrojnë, se origjina nuk ka asnjë ndikim në fe, pasi kriteri i vetëm që të çon përpara, apo të lë në baltë është puna e shoqëruar me mund dhe djersë. Nëse kjo gjë nuk perceptohet në këtë mënyrë, atëherë origjina apo prejardhja e fisshme mund të bëhen shkak për vetëpëqlim.

Ky mund të jetë sekreti, se përse Islami i kushton rëndësi vetëm punës dhe asgjëje tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin”. “(Shpëtimi në jetën tjetër) Nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o muslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe, do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës, as mbështetës tjetër në vend të Allahut. Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t`i bëhet asnjë padrejtësi”.

Kur u shpall ajeti kuranor: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm”, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “O kurejshë! Blijeni veten tuaj nga Allahu (besoni që të shpëtoni), pasi unë nuk mund të bëj asgjë tek Allahu për ju! O bijtë e Abdulmutalibit! Unë nuk mund të bëj asgjë tek Allahu për ju! O Abas ibn Abdulmutalibi! Unë nuk mund të bëj asgjër tek Allahu për ty! O Safije, halla e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk mund të bëj asgjë tek Allahu për ty! O Fatime, bija e të Dërguarit të Allahut! Unë nuk mund të bëj asgjë tek Allahu për ty”!

Teprimi dhe servilosja në vlerësim dhe respektim

Teprimi dhe servilosja gjatë vlerësimit dhe respektimit të tjetrit bëhet shkak për vetëpëlqim. Në disa raste, disa aktivistë të punës islame lavdërohen dhe respektohen nga të tjerët, mirëpo ky lavdërim dhe respekt shpeshherë shoqërohet me doza të larta servilizmi – duke qëndruar gjatë në këmbë para tjetrit, duke i puthur dorën, duke u përkulur para tij, duke ecur pas tij, etj -, mirëpo kjo bie në kundërshtim me udhëzimin e Islamit dhe refuzohet nga Ligji i Allahut t Madhëruar. Këto sjellje e bëjnë aktivistin të mendojë, se e meriton këtë lavdërim dhe respekt, për shkak se zotëron dhunti dhe veçori, që nuk i kanë të tjerët. Këto mendime sa vijnë dhe forcohen në shpirtin e aktivistit, derisa ai mahnitet me veten e tij. Allahu na ruajtë nga gjendje të tilla!

Ndoshta nga këtu kuptohet sekreti, se përse i Dërguari i Allahut (a.s) i ndaloi shokët e tij, që t`i ngriheshin në këmbë apo ta madhështonin, ashtu siç bënin të huajt me mbretërit e tyre. Ai (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush dëshiron që të tjerët t`i qëndrojnë në këmbë, le të përgatisë ndenjësen e tij prej zjarri të Xhehenemit”

Një ditë, i Dërguari i Allahut (a.s) doli para shokëve të tij, duke u mbështetur në një shkop. Sahabët u ngritën në këmbë, mirëpo ai (a.s) u tha: “Mos m`u ngrini në këmbë, ashtu siç i ngrihen të huajt njëri-tjetrit, duke madhështuar njëri-tjetrin”

Servilosja në bindje dhe nënshtrim

Një shkak tjetër që çon në vetëpëlqim, është bindja e tepruar dhe nënshtrimi i disa individëve ndaj disa aktivistëve të punës islame. Ka njerëz që u sevilosen disa aktivistëve dhe u nënshtrohen atyre në çdo gjë, pa marrë parasysh nëse është e urdhëruar nga Sheriati, apo e ndaluar, e mirë apo e keqe. Duhet ditur, se kjo lloj bindjeje dhe nënshtrimi nuk është në përputhje me fenë e Allahut të Madhëruar.

Kur ndodh një fenomen i tillë, ndonjë aktivisti fillon t`i thotë mendja se njerëzit i binden dhe i nënshtrohen atij, për shkak se zotëron veçori dhe dhunti që nuk i kanë të tjerët. Me kalimin e kohës, kjo ide i bëhet bindje e patundur, e rrjedhimisht kalon në vetëpëlqim. Nga këtu kuptohet, se përse Islami e thekson me forcë, se bindja dhe nënshtrimi bëhet vetëm për gjëra që ka urdhëruar Islami dhe jo për mëkate apo shkelje të rregullave të fesë. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Muslimani duhet të dëgjojë dhe të bindet, si në gjërat që pëlqen, ashtu edhe në gjërat që urren, përveç rasteve kur urdhërohet për të bërë mëkat. Nëse urdhërohet për të bërë mëkat, atëherë nuk ka më bindje dhe nënshtrim”.

Shpërfillja e pasojave të vetëpëlqimit

Një shkak tjetër që çon në vetëpëlqim, është shpërfillja e pasojave dhe efekteve negative të vetëpëlqimit. Shpeshherë sjelljet e njeriut në jetë burojnë nga perceptimi apo mosperceptimi i pasojave dhe efekteve të gjërave. Për këtë arsye, nëse ftuesi apo aktivisti musliman nuk i paramendon pasojat që sjell vetëpëlqimi, atëherë do të preket nga kjo lëngatë, do ta konsiderojë si diçka të thjeshtë, nga e cila nuk ka pse të kurohet.

Ky mund të jetë sekreti, se përse Islami i kushton rëndësi të veçantë si prezantimit të parimeve të tij, ashtu edhe objektivave të tij, të cilat shoqërohen me përmendjen e pasojat dhe efekteve të tyre.

V – Pasojat e vetëpëlqimit

Nuk ka dyshim, se vetëpëlqimi apo vetëkënaqësia ka pasoja të rënda dhe përfundim të keq, si për aktivistët muslimanë, ashtu edhe për vetë punën islame.

a) Pasojat për aktivistët muslimanë

Rënia në kurthin e vetëmashtrimit apo mendjemadhësisë

Pasoja e parë e rëndë e vetëpëlqimit është rënia në kurthin e vetëmashtrimit, apo të mendjemadhësisë. Shpeshherë, kur një personi i hyn vetja në qejf, fillon dhe e neglizhon shpirtin e tij, nuk e kontrollon atë dhe nuk i kërkon llogari. Me kalimin e kohës, kjo lëngatë sa vjen dhe rëndohet, kështu që aktivisti fillon e përçmon atë që bëjnë të tjerët, apo i duket se nuk po bëjnë asgjë, etj. Në të vërtetë, ky është vetëmashtrim i mirëfilltë. Kështu atij fillon t`i duket vetja superior, fillon të përbuzë karakteret dhe personalitetet e të tjerëve, mirëpo kjo është mendjemadhësi. Si vetëmashtrimi ashtu edhe mendjemadhësia kanë pasoja fatale dhe efekte shumë të rënda, të cilat do t`i përmendim, kur t`i trajtojmë këto lëngata në vijim të librit, në dashtë Allahu i Madhëruar.

Privimi nga suksesi hyjnor

Pasoja e dytë e rëndë e vetëpëlqimit është privimi nga suksesi hyjnor. Shpeshherë, ai që mahnitet me veten e tij, e kalon cakun dhe mbështetet tek nefsi i tij në çdo gjë, duke harruar apo neglizhuar Allahun e Madhëruar, Krijuesin dhe Formësuesin e tij, i Cili drejton dhe administron çdo çështje, Dhuruesin e pashoq, i Cili i ka dhuruar të gjitha mirësitë e dukshme dhe të padukshme.

Një person që i harron të gjitha këto, do të poshtërohet dhe nuk do të ketë sukses në punët që bën, pasi një nga ligjet e Allahut të Madhëruar është se: suksesin ua jep vetëm atyre, të cilët distancohen nga egot e tyre, që nuk i lënë asnjë grimcë apo hise shejtanit në punën e tyre, të cilët i drejtohen Atij, – i lëvduar qoftë emri i Tij dhe u shtofshin mbi ne dhuntitë e Tij – me të gjithë qenien e tyre dhe që e kanë kaluar jetën në adhurim, bindje dhe shërbim ndaj Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t`i udhëzojmë drejt udhëve Tona”.

Allahu i Madhëruar thotë në një hadith kudsi: “…Robi Im vazhdon të më afrohet akoma më shumë, kur kryen edhe sunetet. Nëse vazhdon t`i bëjë këto, Unë e dua dhe kur ta dua, bëhem dëgjimi i tij, shikimi i tij, dora e tij dhe këmba e tij. Nëse robi Im më lutet, Unë do t`i jap e nëse kërkon mbrojtjen Time, Unë do ta mbroj atë”.

Kapitullimi në raste sprovash dhe vështirësish

Një nga pasojat e rënda të vetëpëlqimit është kapitullimi në kohë sprovash dhe vështirësish. Një person që mahnitet me veten, shpeshherë e neglizhon dëlirësimin e shpirtit dhe furnizimin për në rrugën e vështirë të thirrjes islame. Ka të ngjarë, që një individ i tillë të rrëzohet dhe të dobësohet, qysh me sprovën dhe vështirësinë e parë, pasi kush nuk e njeh Allahun e Madhëruar në kohë rehatie të mos presë që Ai ta mëshirojë në vështirësi dhe sprovat që i bien.

Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë punëmirë”; “Vërtet, Allahu është me punëmirët”!

I Dërguari i Allahut (a.s) e këshilloi Abdullah ibn Abasin (r.a) me fjalët: “Ruaje Allahun dhe do ta gjesh Atë para vetes. Njihe Allahun në kohë rehatie, që Ai të të kujtojë ty në kohë të vështira”

Neveria dhe urrejtja e atij që mahnitet pas vetes

Një nga pasojat e rënda të vetëpëlqimit është neveria dhe urrejtja e njerëzve për atë person që mahnitet me veten e tij, pasi një individ i tillë me veprimet që bën e ka ekspozuar veten ndaj zemërimit të Allahut të Madhëruar dhe ka fituar urrejtjen e Tij. Atë që e urren Allahu, e urrejnë edhe banorët e qiellit, ndërsa më pas urrejtja dhe neveria ndaj këtij personi pasqyrohen edhe tek banorët e tokës.

Njerëzit nuk e honepsin dot atë person që mahnitet me veten e tij. Ata ndjejnë neveri prej tij, nuk duan ta shohin, madje nuk duan as t`ia dëgjojnë zërin. Në një hadith thuhet: “Kur Allahu e do një rob, i thërret Xhibrilit: “O Xhibril! Unë e dua filanin, prandaj duaje edhe ti”. Xhibrili e do atë, që Allahu e do. Më pas Xhibrili u drejtohet banorëve të qiellit (engjëjve): “Allahu i Madhëruar e do filanin, prandaj duajeni edhe ju” dhe atë e duan edhe banorët e qiellit. Më pas këtë njeri e duan edhe banorët e tokës. Kur Allahu e urren një rob i thërret Xhibrilit: “O Xhibril! Unë e urrej filanin, prandaj urreje edhe ti”. Xhibrili e urren atë, që Allahu e urren. Më pas Xhibrili u drejtohet banorëve të qiellit (engjëjve): “Allahu i Madhëruar e urren filanin, prandaj urrejni edhe ju” dhe atë e urrejnë edhe banorët e qiellit. Më pas këtë njeri e urrejnë edhe banorët e tokës”.

Ndëshkimi apo zemërimi hyjnor

Një tjetër pasojë e rëndë e vetëpëlqimit është ndëshkimi apo zemërimi hyjnor ndaj atij që mahnitet me veten, pa marrë parasysh nëse kjo gjë ndodh shpejt apo vonë. Kur një individ vuan nga vesi i shëmtuar i vetëpëlqimit, atëherë ai e ka ekspozuar veten e tij ndaj ndëshkimit apo zemërimit hyjnor. Ky ndëshkim mund të jetë i shpejtë – duke e shkatërruar dhe fundosur në tokë atë individ, njësoj siç ka ndodhur me popujt e mëparshëm -, por mund të jetë edhe i mëvonshëm, ku do të ndëshkohet në zjarrin e Xhehenemit, bashkë me ata që e meritojnë një ndëshkim të tillë. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Një person po ecte i mbuluar nga zbukurimet (e arta) dhe i mahnitur me veten e tij, me flokë të krehura e të hedhura pas shpatullave, kur papritur Allahu e fundosi në thellësi të tokës. Ai vazhdon të zhytet në thellësi të saj deri në Ditën e Kijametit”.

Ndëshkimi më i paktë për persona të tillë është: ankthi, përçarja dhe çrregullimet psikolologjike, siç edhe po ndodh me disa pjesëtarë të Umetit Islam, të cilët janë të prekur nga lëngata të tilla.

b) Pasojat për punën islame

Shpërbërja e lehtë e veprimtarisë islame

Në momentin që puna islame pëson krisje, është tepër e lehtë të goditet, duke e çuar atë drejt dështimit. Rikuperimi është shumë i vështirë, prandaj veprimtarisë islame do t`i shtohen detyrat, ndërsa rezultatet e punës së saj do të shihen pas një kohe të gjatë. Të gjitha këto ndodhin, për shkak se ata aktivistë muslimanë – që mahniten me veten – zmbrapsen në kohë sprovash, vështirësish dhe trazirash. Jo vetëm kaq, por aktivistët muslimanë privohen nga ajo aftësië që i ndihmon në dallimin e pretenduesve dhe të infiltruarve në rradhët e tyre.

Humbja e përkrahësve

Vetëpëlqimi ndalon ose ngadalëson afrimin e përkrahësve dhe bashkëudhëtarëve, për shkak se njerëzit neveriten dhe i urrejnë ata që mahniten me veten e tyre. Kjo shkakton pengesa në rrugë, e zgjat rrugëtimin dhe i shton më shumë përgjegjësitë dhe detyrat.

VI – Kurimi i vetëpëlqimit

Njohja e mirë e kësaj lëngate dhe e gjykimit islam për të, evidentimi i simptomave të saj, njohja e shkaqeve dhe pasojave të rrezikshme të vetëpëlqimit, si për aktivistët muslimanë ashtu edhe për punën islame, e bëjnë më të lehtë mënyrën e kurimit nga kjo lëngatë. Kurimi arrihet, duke ndjekur hapat e mëposhtëm.

Kuptimi i realitetit dhe natyrës njerëzore

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet ta kuptojë se nuk do të kishte asnjë vlerë pa frymën hyjnore. Njeriu është krijuar nga dheu, i cili rëndom shkelet me këmbë, më pas është krijuar nga një ujë i pavlerë, i cili të neverit kur e shikon. Pasi të vdesë, ky trup kthehet në tokë dhe shndërrohet në një kufomë kundërmuese, prej të cilit largohen të gjitha krijesat e gjalla. Nga momenti që lind e derisa të kthehet në varr në barkun e tij mbart papastërti, pra jashtëqitje e cila ka erë tepër të rëndë, e me të cilat njeriu nuk ndjehet i qetë derisa të shpëtojë prej tyre. Një përkujtim i tillë e ndihmon shumë njeriun, që t`i vërë fre vetes, ta ndërgjegjësojë atë dhe ta luftojë vetëpëlqimin, duke e mbrojtur veten që të mos bjerë përsëri në grackën e kësaj lëngate.

Një nga selefët na tërheq vëmendjen, që ta përdorim këtë mekanizëm. Ai dëgjoi një person – që shquhej për vetëpëlqim – duke i thënë: “A e di se kush jam unë”? dhe iu përgjigj: “Po! E di se kush je! Je një pikë sperme e pavlerë dhe do të kthehesh në një kufomë të pisët, ndërsa nga koha që je embrion e derisa të shkosh në varr, ti mbart papastërti brenda trupit tënd”.

Kuptimi i realitetit të Dunjasë dhe Ahiretit

Ai që vuan nga kjo lëngatë, duhet ta dijë se jeta e kësaj bote është ara e botës tjetër. Sado e gjatë të jetë dunjaja, një ditë do të zhduket, ndërsa bota tjetër është e përjetshme, është vendi i qëndrimit të përhershëm. Kujtimi i vazhdueshëm i këtij realiteti do ta bëjë njeriun, që të ndryshojë sjelljet e tij dhe të rregullojë gabimet e tij, para se t`i mbarojë jeta, para se t`i ikë shansi dhe të jetë shumë vonë.

Përkujtimi i mirësive të Allahut

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet t`i kujtojë mirësitë e Allahut, të cilat e rrethojnë nga katër anët. Allahu i Madhëruar thotë: “Edhe nëse përpiqeni t`i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t`i numëroni dot”; “Dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme”.Një përkujtim i tillë e bën njeriun të reflektojë dhe të kuptojë, se është i dobët, i varfër dhe gjithmonë nevojtar për Allahun e Madhëruar, gjë që e nxit atë ta pastrojë veten nga lëngata e vetëpëlqimit dhe të mbrohet që të mos bjerë përsëri në sprovat e kësaj lëngate.

Meditimi në vdekjen

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet ta kujtojë vdekjen dhe ngjarjet që e pasojnë atë, të kujtojë se fazat pas vdekjes kanë vështirësi dhe tmerre. Një meditim i tillë është i mjaftueshëm për t`u shkëputur nga vetëpëlqimi dhe për t`u mbrojtur prej tij. Kjo vlen për ata persona, të cilët kanë zemër të ndjeshme, dëgjojnë me vëmendje dhe dëshmojnë për atë që dinë.

Meditimi në Librin e Allahut dhe në Sunetin profetik

Kurani dhe Suneti kanë sqarime shterruese dhe analiza të hollësishme, që kanë lidhje me katër mekanizmat që sapo përmendëm. Duke medituar në këto të dyja (Kuran dhe Sunet), aktivisti musliman mund të jetë sa më objektiv dhe i sinqertë me veten e tij në kurimin prej çdo lëngate.

Pjesëmarrja në kuvendet e dijes

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të marrë pjesë vazhdimisht në kuvendet e dijes, sidomos në ato kuvende ku trajtohen sëmundjet e shpirtit dhe mënyrat e shpëtimit prej tyre. Pjesëmarrja në këto kuvende ndihmon në pastrimin e shpirtit dhe e mbron atë nga lëngata e vetëpëlqimit.

Meditimi i gjendjes së të sëmurëve dhe të vdekurve

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të meditojë në gjendjen e të sëmurëve, të atyre që vuajnë prej një kohe të gjatë, madje edhe të atyre që ndërrojnë jetë, sidomos në kohën kur i lajnë, kur i qefinosin dhe kur i varrosin. Ai duhet të vizitojë varret herë pas here, të meditojë për gjendjen e banorëve të varreve dhe fundin që mund të kenë, pasi kjo gjë e motivon njeriun nga brenda, e nxit që të shkëputet nga vetëpëlqimi, madje e mbron atë nga të gjitha sëmundjet dhe lëngatat e shpirtit dhe zemrës.

Këshillimi i prindërve që vuajnë nga vetëpëlqimi

Disa prindër vuajnë nga lëngata e vetëpëlqimit. Kur ata kurohen dhe shpëtojnë prej kësaj lëngate, atëherë ofrojnë një model të shëndetshëm para fëmijës, që është i prekur nga kjo lëngatë, duke e sqaruar atë se kanë gabuar, se tashmë e kanë kuptuar gabimin, prandaj edhe ai duhet të heqë dorë nga një sjellje e tillë dhe të pendohet sinqerisht tek Allahu i Madhëruar.

Distancimi nga ata që vuajnë nga vetëpëlqimi

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të shkëputet dhe të distancohet nga ata njerëz, të cilëve u pëlqen vetja. Ai duhet të shoqërohet dhe të qëndrojë me njerëz sa më të thjeshtë, të cilët e njohin veten, pozitën dhe aftësinë e tyre. Kjo gjë e ndihmon individin, që të shpëtojë nga kjo lëngatë dhe të krijojë imunitet ndaj saj.

Respektimi i etikave sheriatike gjatë lavdërimit

Muslimani e ka të domosdoshme, që të ndjekë etikat sheriatike, kur lavdëron dhe i thur elozhe të tjerëve, kur respekton dhe vlerëson të tjerët, kur u bindet dhe dëgjon të tjerët. Ai duhet të refuzojë në mënyrë kategorike dhe të paralajmërojë rëndë këdo, që nuk i merr në konsideratë këto etika sheriatike. Një gjë e tillë luan një rol të madh në mjekimin e vetes dhe çlirimin e saj prej vetëpëlqimit.

Dorëheqja nga posti për njëfarë kohe

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të tërhiqet për disa kohë nga postet drejtuese, derisa të përmirësojë gjendjen e egos së tij, ta zbusë atë dhe ta ashpërsojë ndaj shejtanit, pasi këto gjëra e lehtësojnë më shumë kurimin e lëngatës së vetëpëlqimit.

Studimi i biografisë së selefëve

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet ta studiojë vazhdimisht biografinë e selefëve, të dijë se si vepronin ata, kur pikasnin shenja të vetëpëlqimit në veten e tyre. Kjo gjë e motivon individin, që t`i ndjekë selefët dhe t`i ketë si model në jetën e tij, apo të paktën t`iu përngjasojë atyre, apo të ndjekë metodat e tyre për ta shkulur nga rrënjët këtë lëngjyrë, në mënyrë që të mos preket sërish prej saj dhe t`ia presë përfundimisht rrugën.

Kultivimi i virtytit të modestisë

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet t`i kultivojë vetes thjeshtësinë dhe modestinë. Kjo mund të arrihet duke u shërbyer vëllezërve të tij, të cilët mund të kenë një një pozitë më të ulët se ai, apo duke u blerë ushqim atyre, duke i mbajtur vetë gjërat që u duhen, etj. Praktika të tilla dhe të ngjashme me to janë transmetuar nga shumë selefë.

Kur Umeri (r.a) mbërriti në Sham, i ofruan një trap që të kalonte një vend me ujë. Ai zbriti nga deveja, i hoqi këpucët dhe kaloi këmbëzbathur ujin. Ebu Ubejde Amir ibn Xherrahu (r.a) i tha: “Sot ke bërë diçka shumë të rëndë para këtyre njerëzve”. Umeri (r.a) e godit në gjoks dhe i tha: “Si?! Ti e thua këtë fjalë?! Nëse do ta kishte thënë dikush tjetër, do ta justifikoja, kurse për ty është e pajustifikueshme o Ebu Ubejde! Ju ishit njerëzit më të përçmuar dhe më të përbuzur nga të tjerët, mirëpo Allahu ju fisnikëroi me të Dërguarin e Tij (a.s). Nëse ju do ta kërkoni krenarinë tuaj me dikë apo diçka tjetër veç kësaj, dijeni se Allahu do t`ju poshtërojë”

Në një transmetim tjetër qëndron: “Kur Umeri (r.a) mbërriti në Sham, njerëzit kishin dalur për ta pritur. Umeri (r.a) ishte mbi deve. Dikush i tha: “A të sjellim një kalë, që të takosh njerëzit me pozitë dhe prijësit e këtij vendi”? Umeri (r.a) tha: “Mua nuk ma mbushin syrin këto dënglat tuaja! Krenaria juaj vjen nga lart (dhe bëri me shenjë nga qielli). Hapjani rrugën devesë time”

Monitorimi nga edukatorë

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të gjejë një edukator të mirëfilltë, i cili do t`i qëndrojë pranë dhe do ta ndihmojë, në mënyrë që të kurohet me sukses nga kjo lëngatë.

Kërkimi i llogarisë ndaj vetes

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet t`i kërkojë vazhdimisht llogari vetes, në mënyrë që t`i konstatojë sëmundjet e shpirtit qysh në fillimet e tyre. Dihet se kur një sëmundja kapet në fazën fillestare, është më e thjeshtë të kurohet.

Të ndërgjegjësohet për pasojat negative të vetëpëlqimit

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet të ndërgjegjësohet për pasojat negative të vetëpëlqimit, pasi kjo gjë ndikon fuqimisht në kurimin e kësaj lëngate dhe siguron imunitet ndaj saj.

Të kërkojë vazhdimisht ndihmë nga Allahu i Madhëruar

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet t`i kërkojë parreshtur ndihmë Allahut të Madhëruar nëpërmjet lutjes, përgjërimeve dhe strehimit tek mëshira e Tij. Ai duhet t`i lutet Allahut të Madhëruar, që ta përkrahë, ta pastrojë nga kjo lëngatë dhe ta mbrojë, në mënyrë që të mos preket më prej saj. Nuk ka dyshim se kush kërkon ndihmë nga Allahu, Ai do ta ndihmojë dhe do ta udhëzojë për tek rruga e Tij e drejtë.

Rëndësia e përgjegjësisë personale

Ai që vuan nga vetëpëlqimi, duhet ta kuptojë mirë rëndësinë që ka përgjegjësia personale në veprimet e tij, pa marrë parasysh pozitën që gëzon apo prejardhjen e tij. Një gjë e tillë luan rol të madh në kurimin e shpirtit, pasi e mbron dhe e ruan atë, që të mos bjerë më në grackën e lëngatës së vetëpëlqimit.

Autor: Muhamet Sejjid Nuh

Përktheu: Rushit Musallari

By: ardhmëriaonline.com