‘Vetëvendosja nuk e bën Qeverinë me Listën Serbe’

Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës, por jo edhe e Qeverisë. Kështu së paku thuhet në Kushtetutën e Kosovës, e cila ia garanton këtij komuniteti të marrë udhëheqjen e një dikasteri qeveritar në rast të një qeverie me 12 ministri, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Menjëherë pas 6 tetorit kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, i cili i fitoi zgjedhjet, Albin Kurti, është shprehur i prerë që në Qeverinë të cilën po pretendohet se do ta udhëheqë ai nuk do ta përfshijë Listën Serbe. Kurti në të gjitha deklarimet e tij sa i përket Listës Serbe ka theksuar se nuk është obligim kushtetues që kjo parti të jetë në Qeveri.

Në një prononcim për “Zërin” kandidati për deputet i Vetëvendosjes, Haki Abazi, është shprehur se LVV-ja nuk e lejon Listën Serbe ta kontestojë vendimin e sovranit, i cili është dhënë më 6 tetor. Kësisoj ai thekson se vendimin për ta lënë Listën Serbe jashtë Qeverisë do ta marrin bashkërisht dy partnerët e mundshëm qeveritar, LVV-ja dhe LDK-ja.

“Qëndrimi i kryeministrit në ardhje ka të bëjë me faktin se asnjë forcë politike, duke përfshirë edhe Listën Serbe, nuk mund ta shantazhojë dhe ta sabotojë vendimin e sovranit të Kosovës. Lista Serbe duhet të definohet mirë sipas Kushtetutës e ligjeve të Kosovës dhe duhet ta luajë rolin e saj përbrenda ravijëzimit politik”, ka deklaruar Abazi.