Veturat me motorë me djegie do të mund të drejtohen deri në vitin 2050

Një nga ithtarët më të mëdhenj të elektrifikimit në Evropë, grupi Stellantis, thekson gjithnjë e më shumë se veturat me motorë me djegie të brendshme do të vazhdojnë të lëvizin në rrugë edhe në vitin 2050, kryesisht falë karburanteve sintetike.

Megjithëse shumica e prodhuesve të veturave kanë tashmë plane për kalimin në epokën elektrike, veturat me motorë klasikë nuk do të zhduken nga rruga së shpejti. Ky mendim vjen nga grupi Stellantis, i cili është edhe një nga ithtarët më të mëdhenj të elektrifikimit që në fillimet e tij dhe së fundmi, me sa duket nën presionin e Kinës, është duke e intensifikuar këtë temë gjithnjë e më shumë.

Sipas Christian Muller, zëvendës president i këtij grupi shumëkombësh, veturat me motor termik të shitura deri në vitin 2029, do vazhdojnë të qarkullojnë neper rrugët evropiane dhe botërore edhe në vitin 2050

Kjo do jetë e mundshme falë karburanteve sintetike me emetime të ulëta – në vend të karburanteve të zakonshme – gjë e cila do t’i mbante “në jetë” motorët termik edhe pas vitit 2035, atëherë kur edhe do duhet të prodhohet edhe zyrtarisht vetura e fundit me motor “klasik”.

Stellantis ka raportuar se kanë testuar motorë termikë të vjetër dhe të rinj në bashkëpunim me kompaninë arabe të naftës Aramco. Rezultatet e testit tregojnë se deri në 24 lloje motorësh me djegie të brendshme, të prodhuar nga Stellantis nga viti 2014 e deri më sot, mund të punojnë me karburante sintetike pa asnjë modifikim të motorit.

Vlerësohet se motorë të tillë përputhen plotësisht me karburantet e reja sintetike dhe janë të pranishëm në rreth 28 milionë vetura në rrugët në Evropë. Në këtë kombinim, ekziston gjithashtu potenciali për të reduktuar emetimet e CO2 deri në 400 milion ton në Kontinentin e Vjetër midis 2025 dhe 2050.