Siriani që i dha fund një terrori me stadin më të lartë të ndërgjegjes njerëzore
Kur Ahmed al-Ahmed rrëzoi dhe ia mori armën sulmuesit terrorist në plazhin Bondi, e tëra që mund të mendonte ishte se “nuk mund të duronte të shihte njerëz të vdisnin”, tha kushërira e tij, raporton Caitlin Cassidy për The Guardian.
Një ditë më vonë, al-Ahmed mbetet në një gjendje kritike, por të qëndrueshme në Spitalin St George’s në Sidnei. Që nga sulmi, babai 43-vjeçar i dy vajzave është bërë i njohur ndërkombëtarisht si hero, me lëvdata nga kryeministri australian, kryeministri i Uellsit të Ri Jugor dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara.
Lëvdata nga maja e shtetit
Kryeministri australian Anthony Albanese theksoi Ahmed al-Ahmed në një konferencë për shtyp të hënën, duke e përshkruar aktin e tij si një shembull të “bashkimit të australianëve”.
“Ahmed al-Ahmed, në rrezik të madh për jetën e tij, ia rrëmbeu armën sulmuesit dhe pësoi lëndime serioze. Gjithashtu raportohet se ai u godit nga katër deri në pesë plumba. Ai është aktualisht në spital duke iu nënshtruar një operacioni,” tha Albanese.
Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor Chris Minns vizitoi al-Ahmed në spital dhe i bëri homazh “heroit të jetës reale” në Instagram.
“Trimëria e tij e jashtëzakonshme pa dyshim shpëtoi shumë jetë kur çarmatosi një terrorist me rrezik të madh personal,” shkroi Minns.
Sulm gjatë Hanukkah
Të paktën 16 persona, përfshirë një nga sulmuesit e dyshuar, u vranë në një të shtënë masive gjatë një festimi të Hanukkah të dielën në mbrëmje.
Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë Ahmed al-Ahmed duke vrapuar drejt sulmuesit, duke iu afruar atij dhe duke i rrëmbyer armën. Kushëriri i tij Jozay tha se Ahmed po shërohet nga operacioni i parë, ndërsa dy të tjerë e presin.
“Ai ka morrë shumë ilaçe dhe e ka të vështirë të flasë,” tha Jozay pasi e vizitoi në spital.
“Një akt humanitar, një çështje ndërgjegjeje”
Një tjetër i afërm, Mustafa al-Asaad, i tha rrjetit televiziv Al Araby se Ahmed veproi nga njerëzillëku i pastër.
“Kur pa njerëz që vdisnin dhe familje që goditeshin nga plumbat, nuk mundi ta duronte,” tha ai.
“Ishte një akt humanitar, para së gjithash. Një çështje ndërgjegjeje. Ai është krenar që ka shpëtuar të paktën një jetë.”
Al-Asaad deklaroi se Ahmed është një shtetas australian me origjinë siriane, nga qyteti i Idlibit.
Familja: “Djali ynë, një hero!”
Prindërit e Ahmedit, Mohamed Fateh al-Ahmed dhe Malakeh Hasan al-Ahmed, i thanë ABC News se djali i tyre u qëllua katër deri në pesë herë në shpatull gjatë konfrontimit.
“Djali im është një hero. Ai ka një ndjenjë të fortë për të mbrojtur njerëzit,” tha babai i tij.
Prindërit kishin mbërritur në Sidnej nga Siria vetëm disa muaj më parë, pas vitesh të tëra ndarjeje nga djali i tyre, i cili erdhi në Australi në vitin 2006.
“Qava kur dëgjova se ishte plagosur,” tha nëna e tij, duke shtuar: “Ne i lutemi Zotit ta shpëtojë atë.”
Krenaria e komunitetit
Lubaba Alhmidi AlKahil, drejtoreshë e medias e Shoqatës Australianë për Sirinë, vizitoi Ahmedin në spital dhe tha se ai po shërohej.
“Ai është vërtet një superhero”, tha ajo, duke vënë në dukje se komuniteti është jashtëzakonisht krenar për të.
“Feja jonë është feja e paqes. Ky akt e tregon qartë këtë”, shtoi ajo. /tesheshi








