Viktimat e luftës në Idlib kërkojnë ndihmë për t’i kthyer qytetet e “baltës” në hapësira për të jetuar

Qytetarët e Idlibit që janë strehuar në hapësirat pranë kufirit me Turqinë si pasojë e sulmeve intensive nga regjimi i Bashar Al-Asadit dhe mbështetësve të tij, janë në pritje të ndihmës që do t’u jepet në mënyrë që ata të mund të jetojnë në çadrat e tyre që kanë mbetur nën baltën e dimrit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Viktimat e luftës në Idlib kërkojnë ndihmë për t’i kthyer qytetet e
Viktimat e luftës në Idlib kërkojnë ndihmë për t’i kthyer qytetet e “baltës” në hapësira për të jetuar
Civilët e Idlibit prej 9 vitesh përballen me bombardimet intensive të regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij.

Prindërit, të cilëve u janë shembur shtëpitë dhe bizneset, janë drejtuar rrugëve të migrimit bashkë me fëmijët e tyre, pasi shkollat dhe parqet janë shndërruar në rrënoja.

Duke mos pasur asnjë alternativë tjetër përveçse të braktisin vendin ku kanë lindur dhe janë rritur, familjet lëvizin drejt kufirit të Turqisë vetëm me disa sende që kanë arritur të marrin me vete.

Disa nga familjet që kanë mbërritur në territoret në veri të Idlibit jetojnë në mënyrë kolektive në çadrat e siguruara nga organizatat e shoqërisë civile ndërsa disa të tjera në strehimoret që kanë ndërtuar me mundësitë e tyre.

Këto vendbanime pa infrastrukturë dhe të vendosura pa kriter janë jashtëzakonisht të pambrojtura sidomos ndaj kushteve të dimrit. Çadrat të cilat konsumohen në vapën e verës, fillojnë të fusin ujë që në shirat e parë të dimrit.

Fëmijët me këmbë të zbathura, me pantofla ose çizme plastike luajnë përreth çadrave që kanë mbetur nën baltë.

Gjithashtu tërheqin vëmendjen edhe bimët jeshile që rriten në mesin e çadrave nga familjet që gjejnë një rrugë për të mbijetuar edhe në kushtet më negative.

“Mbesim të bllokuar në çadër deri kur të ndalet shiu”

Kasım Yusuf, një prej civilëve të strehuar në kampin Al-Diya në një deklaratë për AA tha se ka migruar rreth 1.5 vite më parë nga zona Kefern Rumah në periferinë jugore të Idlibit.

“Nuk ka asnjë shërbim në kampin e çadrave ku jetojmë. Nuk ka rrugë për autobotet për të shpërndarë ujë, për ambulancën apo për fëmijët që të shkojnë në shkollë”, tha Yusuf.

“Mbesim të bllokuar në çadër deri kur të ndalet shiu”, tha Yusuf i cili shtoi se “Prej rreth 4 muaj askush nuk na ndihmon. Na ka ardhur vetëm një pako për higjienën. Nuk kemi sobë. Nuk kemi qymyr dhe dru. Shumica e çadrave këtu nuk kanë sobë. Këtu ka familje që kanë të moshuar, gra shtatzëna ose me foshnje. Çadrat fusin ujë dhe nuk kemi batanije”.

“Guri i çakullit, nevoja më e rëndësishme e kampit”

Ndër të tjera Yusuf u shpreh se “Kur çadrat fusin ujin e shiut poshtë saj vendosim tenxhere, kova ose legenë. Çadrat tona janë konsumuar për shkak të nxehtësisë në verë”.

“Guri i çakullit, nevoja më e rëndësishme e kampit. Për çadrat ka nevojë edhe për soba”, tha Yusuf i cili theksoi se presin që organizatat e shoqërisë civile të zgjasin dorën e tyre për ndihmë.