Vitia: AstraZeneca s’ka treguar efekte anësore, në fund të prillit ose fillim të majit vjen donacioni tjetër

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka vizituar qendrën e vaksinimit prej ku edhe ka folur para mediave prezente.

Vitia është shprehur se ka përfunduar vaksinimi i personelit shëndetësor, megjithëse nuk janë vaksinuar të gjithë, por tani ka filluar vaksinimi i të moshuarve, shkruan lajmi.net.

Ai e ka konsideruar lajm të mirë se tek të vaksinuarit nuk janë shfaqur efekte anësore dhe ka treguar se do të vaksinohen të gjithë personat mbi 80 vjeç pavarësisht problemeve të tyre në aplikim e gjithashtu ka informuar për një ekipë mobile që do të funksionojë në vaksinimin e personave të palëvizshëm nëpër shtëpitë e tyre.

“Siç mund të jeni të informuar pjesa e personelit shëndetësor, meqë jo e gjitha për disa arsye ka përfunduar dhe nga sot kemi filluar me vaksinimin e të moshuarve mbi 85 vjeç. Edhe nga koordinatorët edhe nga stafi këtu mora vesh se gjithë procesi është duke shkuar jashtëzakonisht mirë. Secili është në krye të detyrës dhe një nga lajmet e mira që mora për ekipën që më së paku ka pasur në punë është ekipi i mjekësisë urgjente të cilët nuk e kishin pasur asnjë intervenim sepse nuk ka pasur asnjë nevojë për të intervenuar sepse të gjithë që janë vaksionuar deri më tani nuk ka pasur asnjë efekt anësor që do ta mobilizonte këtë ekipë. Vaksina është e sigurtë dhe ftoj të gjithë qytetarët mbi 80 vjeç të vijnë e të vaksinohen dhe të gjithë që nuk kanë mundur të lajmërohen dhe kanë pasur probleme në aplikim, të gjithë do të vaksionohen dhe do të ketë ekipe mobile që do të shkojnë nëpër shtëpi t’i vaksionojë ata që janë të palëvizshëm.”, tha Vitia.

Më tutje, ai ka kërkuar respektimin e masave në fuqi dhe gjithashtu ka thënë se janë për të mirë të shëndetit të qytetarëve dhe të ekonomisë.

“Kërkoj respektimin e masave, pavarësisht numrit të vaksinave që do të vijnë, pëavarësisht numrit të qytetarëve që do të vaksionohen këto masa janë komplementare për të ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe ekonomisë.”, tha ai.

I pyetur lidhur me kontigjentin e dytë të vaksinave nga COVAX ai tha se afatet flasin për fundin e prillit dhe fillimin e majit.

” Kontigjenti i dytë i këtij grupi të vaksinave pritet të vijë nga fundi i prillit dhe fillimi i majit, këto janë së paku fjalët që i kemi nga COVAX por gjithësesi koha e vaksinimit është për dozën e dytë qërshori dhe besoj që jemi në kohë dhe jemi në diskutime edhe me kompani prodhuese e shtete mike që sa më shpejtë e sa më shumë të sigurojmë vaksina.”, tha Vitia.

Ai është shprehur se kanë kërkuar ndihmë edhe nga vendet mike të Kosovës dhe nga kompanitë prodhuese për sigurimin e vaksinave, por ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim.

“Ne kemi kërkuar nga të gjithë miqtë tanë të kontribuojnë në këtë situatë dhe natyrisht po presim përgjegje që nuk e kemi akoma, asnjë përgjegje definitive nga këto shtete, kurse sa i përket kompanive prodhuese, për shkak të një deklarate të konfidencialitetit që e kemi të obliguar të nënshkruajmë nuk mund të japim informacione. Ne jemi duke diskutuar me secilën nga vendet mike për mundësinë e ofrimit të vaksinave si donacion, natyrisht një pjesë e këtyre vendeve kanë bërë vaksinimin në numër më të madh të qytetarëve, por duhet të kemi parasysh se gjithë shtetet po përballen me këtë problematikë tani dhe normalisht pa u siguruar gjithë vaksinimi i qytetarëve të tyre është problematike shpërndarja e vaksinave.”, tha Vitia.