Vitia: Kemi presion të madh nga OShP dhe prokuroria për nënshkrimin e tenderit me insulina

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë sot se po ballafaqohen me presion të madh nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) dhe Prokuroria e Shtetit për nënshkrimin e tenderit me insulina, pa autorizim marketing.

Vitia në konferencë për medie, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës është shprehur se përkundër kësaj nuk do të marrin vendime të jashtëligjshme për të rrezikuar shëndetin publik, shkruan KP.

Madje, ai ka shprehur dyshime të mëdha për motivet e këtij tenderi, me ç’rast ka përmendur edhe mafian farmaceutike.

“Shprehim shqetësimin tonë për një situatë e cila rrezikon në mënyrë shumë substanciale shëndetin publik. E këtu kemi të bëjmë me tenderin për insulina një tender që është hapur më 2020. Është betejë për ligjshmërinë, për ruajtjen e shëndetit publik. MSH-ja shpreh shqetësimin në lidhje me presionin e paligjshëm të OSHP-së për furnizim me insulina. OSHP-ja dhe Prokuroria kanë ndëmarrë veprime të koordinuara për të bërë presion mbi Ministrinë e Shëndetësisë, që kontrata t’i nënshkruhet një operatori i cili nuk ka, madje as nuk ka aplikuar, deri më tani për autorizim-marketing, i cili është obligativ sipas Ligjit për pajisje dhe produkte medicinale”.

“Ne nuk mund të pranojmë që të hyjnë barna të paregjistruara. Unë jam para dy zgjedhjeve ta bëj nënshkrimin si ka kërkuar, ku pastaj unë vet edhe në aspektin moral edhe ligjor do të jem i përndjekur se kam shkelur ligjin. Nëse e nënshkruaj do të ndiqem nëse nuk e nënshkruaj do të ndiqem”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që t’i propozojë Kuvendit të Kosovës, shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, Kimete Gashi.