Vjosa Osmani merr përkrahjen unanime të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së

Me vota unanime është përkrahur kandidatura e Vjosa Osmanit për kryeministre të Kosovës nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se LDK-ja ka vlerësuar lartë kontributin e Lutfi Hazirit si dhe kontributin e Vjosa Osmanit.

“Këshilli i Përgjithshëm në mënyrë unanime pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime përkrahu propozimin e kryesisë Vjosa Osmanin për kandidat të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryeministre e ardhshme e Republikës së Kosovës”, tha tha Mustafa.

Mustafa madje nga Këshilli i Përgjithshëm kërkoi përkrahjen maksimale për Vjosa Osmani si gjatë fushatës ashtu edhe siç tha ai si kryeministre e ardhshme e Kosovës.

“Kryesia si dhe kundër kandidati Lutfi Haziri e kanë vlerësuar të arsyeshme që kësaj radhe në mënyrë unanime pa asnjë kundër ta propozoj Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani si kandidate për kryeministre të Kosovës. Meqenëse në kryesi kemi vendosur me vota unanime kjo duartrokitje dhe kjo përkrahje është unanime për Vjosa Osmanin për kryeministre. Iu falënderoj për besim dhe kërkoj që ta përkrahim edhe në fushatë dhe ta përkrahim edhe kur të vijë në pozitën e kryeministres ka mjaftë punë”, tha ai.

Kujtojmë që dje me vota unanime Kryesia e LDK ka propozuar ish-deputeten Vjosa Osmani si kandidate nga radhët e kësaj partie për kryeministre të Kosovës.