“Vlera e njeriut qëndron te gjestet e vogla”

Hafiz Ismet ef. Spahić (r.a)

“I çmoj njerëzit të cilët, kur një automjet ndalet për t’u dhënë përparësi në vijat e këmbësorëve, hedhin një hap më të shpejtë dhe i japin shoferit një tundje koke në shenjë mirënjohjeje.

I çmoj ata që, kur kamarieri u sjell faturën prej 19 markash, lënë edhe atë një markën që e plotëson në 20, qofshin edhe paratë e tyre të fundit. Si dhe ata që nuk hyjnë në dyqan pesë minuta para përfundimit të orarit të punës.

I çmoj njerëzit që nuk e thërrasin dikë në telefon pesë herë radhazi, ndonëse ai nuk është përgjigjur as herën e parë, as të dytën, e as të tretën. Dhe ata që nuk e shqetësojnë askënd as në shtatë të mëngjesit, as në dhjetë të mbrëmjes.

I çmoj ata që, teksa kalojnë, përkëdhelin macen që u fërkohet rreth këmbëve; ata që mbajnë të hapur derën për personin që u vjen pas; ata që paguajnë me shpejtësi në arkë dhe i vendosin sendet në karrocë pa vonesë; si edhe ata që ngrejnë nga dyshemeja një frut që i ka rënë dikujt tjetër.

I çmoj njerëzit për të cilët ‘të lutem’, ‘faleminderit’, ‘urdhëro’ dhe ‘më fal’ nuk janë fjalë të rralla… këta njerëz i dua.

Janë pikërisht ato gjëra të vogla që më flasin më shumë për një njeri sesa makina që drejton, kostumi që vesh apo fjalët që shqipton; detaje që tregojnë se sa i aftë është ai të ndiejë, të respektojë botën dhe njerëzit përreth, sa i aftë është të dojë.

Mos u përpiqni të më mashtroni me shije të holla e darka të kushtueshme, me makina e kostume, me shtëpi e banesa, me statuse e tituj… Më mashtroni, nëse doni, me veprat tuaja.”

Hafiz Ismet ef. Spahić (Allahu e mëshiroftë)

Titull i vendosur nga redaksia @Mesazhi