Von Cramon: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim, jemi 4 vite me vonesë

Eurodeputetja dhe raportuesja e përhershme për Kosovën, Viola von Cramon e cila ndodhet në një vizitë “fakt-mbledhëse” në Kosovë, ka thënë se ajo njihet si avokuesja më e madhe për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Shpresoj që në do të shohim në lehtësimin dhe hapjen e këtij procesi. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim dhe jemi 4 vite me vonesë”, tha ajo, në një konferencë për shtyp, të mbajtur në Mitrovicën e Jugut.

Von Cramon shprehet optimiste se do të shohim ri-hapjen e procesit pas zgjedhjeve në Francë, që mbahen në prill. Ajo tha se nuk është krejt çështja te Parlamenti Evropian.

“E di që shumica e shteteve kryesore e mbështesin liberalizimin, por na duhet një mbështetje unanime”, tha ajo.

Në maj 20216, Komisioni Evropian i kishte propozuar Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës duke e transferuar Kosovën në listën e vendeve pa viza për qëndrim afatshkurtër në zonën Shengen.

Propozimi ishte bërë së bashku me vlerësimin pozitiv të Komisionit që konfirmon se Kosova ka përmbushur kriteret e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Propozimi ishte votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së, shkruan EkonomiaOnline