Ballina Lajmet Kosovë Votohet njëzëri Albin Kurti si mandatar për Qeverinë e ardhshme

Votohet njëzëri Albin Kurti si mandatar për Qeverinë e ardhshme

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur të dielën Mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm, ku u diskutua situata politike aktuale dhe hapat e mëtejmë institucionalë. Pika qendrore e mbledhjes ishte propozimi i Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë së re, e njohur tashmë si Qeveria Kurti 3.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca bëri prezantimin zyrtar të kandidaturës së Kurtit para Këshillit, duke theksuar legjitimitetin dhe nevojën për formimin e institucioneve të reja.

“Ne kemi Kuvendin dhe do ta bëjmë Qeverinë. E kur jemi te qeveria jonë e ardhshme, më lejoni ta propozoj për kryeministër kryetarin e LVV-së, Albin Kurti”, u shpreh Konjufca.

Pas propozimit, Këshilli i Përgjithshëm votoi njëzëri pro kandidaturës së Kurtit, duke e bërë atë zyrtarisht propozimin e vetëm dhe të përbashkët të VV-së për postin e kryeministrit.

Konjufca: Po rrezikohet njohja e rezultatit zgjedhor, skenari për bllokim nga Lista Serbe është tradhti shtetërore
Lexo po ashtu
Konjufca: Po rrezikohet njohja e rezultatit zgjedhor, skenari për bllokim nga Lista Serbe është tradhti shtetërore
“Me votë unanime, kryeministri Kurti është propozimi jonë edhe njëherë për qeverinë Kurti 3”, theksoi Nagavci, pas përfundimit të votimit.

Pas përfundimit të votimit nga Këshilli, emri i Kurtit do t’i dërgohet presidentes Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të ndërmarrë veprimet sipas procedurës kushtetuese për mandatarin e Qeverisë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës nenit 95 paragrafi i 2, thuhet se kandidati për kryeministër,jo më vonë se 15 ditë pas emërimit paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në paragrafin 4 të këtij neni thuhet tutje se nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre