Bombat shkatërrojnë trupat, ndërsa heshtja ndërkombëtare shuan kujtesën
Në analizën e tij për Arab News, publicisti i njohur Ramzy Baroud argumenton se tragjedia në Rripin e Gazës ka hyrë në një fazë të re dhe po aq të rrezikshme: atë të harresës dhe normalizimit të vdekjes. Baroud ngre alarmin se, ndonëse vëmendja globale është zbehur, gjenocidi nuk ka përfunduar, por thjesht ka ndryshuar ritëm.
Ai e cilëson këtë situatë si një “vrasje me dy faza”: faza e parë është shkatërrimi fizik përmes bombardimeve, ndërsa faza e dytë është zhdukja e vëmendjes dhe heshtja e qëllimshme ndërkombëtare. Sipas shifrave të cituara nga Baroud, realiteti në terren mbetet katastrofik.
Që nga tetori i vitit 2023, numri i viktimave palestineze ka kaluar 71.000, me qindra të tjerë që kanë humbur jetën edhe pas shpalljes formale të “armëpushimit” në tetor të vitit të kaluar. Analisti thekson se vetëm më 15 janar 2026, sulmet izraelite vranë 16 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, duke dëshmuar se dhuna vazhdon sa herë që shifrat e vdekjeve mbeten nën “pragun psikologjik” prej 100 personash në ditë – një nivel që nuk zgjon më interesin e mediave të mëdha.
Baroud vë në dukje se mbi 2.000.000 njerëz janë grumbulluar në vetëm 45 për qind e territorit të vogël të Gazës. Kushtet e jetesës janë çnjerëzore: mbi 1.000.000 njerëz jetojnë në tenda të improvizuara që nuk u bëjnë ballë stuhive të dimrit.
Raportet për foshnja që kanë vdekur nga ngrirja, mungesa totale e ujit të pastër dhe kolapsi i sistemit shëndetësor, tregojnë për një asgjësim të qëllimshëm të jetës civile. Ekonomia është shkatërruar plotësisht; madje edhe peshkatarët janë të bllokuar, duke e kthyer mjetin e tyre të jetesës në një rrezik për jetën.
Një pikë kyçe e analizës në Arab News është kritika ndaj medias. Baroud dënon faktin që Gaza po shtyhet në periferi të lajmeve, jo vetëm nga mediat perëndimore, të cilat shpesh akuzohen për anshmëri, por edhe nga ato që e quajnë veten “pro-palestineze”.
Ai argumenton se Izraeli ka arritur të dehumanizojë palestinezët deri në atë pikë sa dhuna e vazhdueshme, edhe pse vdekjeprurëse, shihet si “normale”. Baroud pohon se Izraeli po e mban Gazën në mënyrë të qëllimshme në prag të kolapsit për të lënë të hapur mundësinë e pastrimit etnik.
Zyrtarët e lartë izraelitë vazhdojnë të përdorin retorikë, që bën thirrje për pushtim të përhershëm dhe manipulim demografik, duke e penguar fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit që do të lejonte stabilizimin e zonës.
Në mbyllje, analisti bën thirrje për solidaritet moral dhe politik. Ai thekson se heshtja në këtë moment nuk është neutralitet, por bashkëfajësi. Palestinezët nuk po përballen vetëm me armët, por edhe me “fshirjen” – procesin ku bota, pasi ka dështuar t’i mbrojë nga vrasja, po dështon t’i kujtojë ata, duke i lënë të vdesin në harresë./tesheshi

