Vriten në Afganistan 3 punëtorë të huaj, njëri shtetas i Maqedonisë

Një zyrtar afgan njoftoi për vrasjen e tre punëtorëve të huaj të cilët ishin rrëmbyer të enjten në mëngjes në Kabul, trupat e pajetë e të cilëve u zbuluan në një lagje të rrezikshme. Njëri nga të vrarët është shtetas i Maqedonisë, identiteti i të cilit akoma nuk është zbuluar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Akoma nuk dihet se kush qëndron prapa rrëmbimit dhe vrasjes, meqë asnjë organizatë nuk ka marrë përgjegjësinë për veprën e kryer.

Zëdhënësi i policisë së Kabulit, Hashmat Stanekzia, tha se trupat e pajetë ishin braktisur në Mussahi, njërën nga lagjet më të rrezikshme të kryeqytetit afgan. Ai shtoi se aktualisht, policia po kryen hetime për të zbardhur rastin.

Zyrtari policor Jan Aga, tha se tre punëtorët e vrarë kanë qenë kuzhinierë të punësuar në aeroportin e Kabulit, shtetas të Maqedonisë, Indisë dhe Malajzisë.