Vuçiç në Mitrovicë: Më mirë të bisedojmë një milion herë se sa të shkrepim një plumb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pas tri orë bisedimesh me zyrtarët serbë në Kosovë, tha se për problemet duhet të diskutohen dhe në asnjë mënyrë të mos përdoren armët, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç, prapa dyerve të mbyllura në Fakultetin Teknik në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe, foli me përfaqësuesit e serbëve në pushtet dhe opozitë. Në konferencën për media, në cilën pati edhe komente të qytetarëve se ata kanë nevojë për siguri dhe mbrojtje, Vuçiç ka thënë se situata pas vrasjes së tmerrshme të Oliver Ivanoviçit është shumë e vështirë, por se interesi më i madh i Serbisë është paqja, qëndrimi dhe mbijetesa e serbëve në shtëpitë e tyre në Kosovë.

Ai tha se u diskutua edhe rreth nevojës për unitetin serb. Vuçiç përsëriti se Serbia kërkoi të përfshihet në hetimin e vrasjes së Oliver Ivanoviç, por se autoritetet e Kosovës që kanë autoritet efektiv këtu nuk e kanë lejuar këtë. Ai gjithashtu përsëriti se Serbia do të shkëmbejë të gjithë informacionin me Prishtinën rreth rastit dhe do të presë rezultatet e hetimit.

“Nuk ka rëndësi për neve se si e ka emrin vrasësi dhe urdhëruesi, qoftë të jetë ky emër serb, shqiptarë apo çfarëdo emri tjetër i huaj. Çfarëdo qoftë dhe cili do qoftë, ajo është, dhe unë nuk do të pranojë vendime të parakohshme, sepse dikush kështu dëshiron, pasi që deri te kjo duhet të arrihet me një hetim gjithëpërfshirës dhe prova, kurse për kryerësin dhe urdhëruesin nuk do të ketë mëshirë”, tha Vuçiç.

Ai vuri në dukje se politika serbe është një politikë e paqes me shqiptarët dhe se nuk është e rëndësishme se çka do të shfrytëzojnë shqiptarët për interesat e tyre politike.

“Ju lutemi të na mundësoni të mos përdorim armë, të përpiqemi t’i zgjidhim gjërat me politikanë dhe bisedime. Më mirë është të flas unë me Thaçin, të mos e di kush bisedon me Haradinajn një milion herë, se sa të shkrepet një plumb kudo qoftë”, tha Vuçiç në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe.

Presidenti i Serbisë ka thënë se në takim me zyrtarët është paraqitur frikë e madhe e serbëve të Kosovës nga frika e ndërhyrjes së shqiptarëve nga jugu në pjesën veriore të Kosovës, nga konflikti brenda komunitetit serb, dhe se u diskutua se çfarë mund të bëjë Beogradi për të mbrojtur serbët në Kosovë, pa hyrë në juridiksionin e Policisë së Kosovës.

Nga Mitrovica, Vuçiç shkoi në Graçanicë dhe Llapllasellë ku do të bisedojë me serbët e Kosovës qendrore.

Kujtojmë se 64 vjeçari Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e 16 janarit para selisë së partisë së tij në pjesën e Mitrovicës me shumicë serbe. Policia e Kosovës ofroi 10 mijë euro për informacion mbi vrasjen. Beogradi zyrtar ka kërkuar që autoritetet serbe të përfshihen në hetim, ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë deklaruar se janë të gatshëm për bashkëpunim me Serbinë përmes shkëmbimit të informacionit, por se hetimi do të udhëhiqet nga institucionet e Kosovës.

Ivanoviç ishte një nga politikanët kryesorë në veri të Kosovës, të dominuar nga serbët. Ivanoviç, i cili komandonte grupet paramilitare serbe në luftën në Kosovë, u dënua me 9 vjet burgim në vitin 2016 për krimet e kryera gjatë luftës kundër civilëve shqiptarë. Gjykata Supreme e ndryshoi vendimin në vitin 2017 dhe urdhëroi rigjykim.